Norris provon një makinë rally të Toyota-s së bashku me  Solberg (VIDEO)
N

Norris provon një makinë rally të Toyota-s së bashku me  Solberg (VIDEO)

Kampioni i botës në Formula 1, Lando Norris, u ul pas timonit të një makine rally Toyota GR Yaris Rally2 në prag të Çmimit të Madh të Australisë që hap sezonin këtë javë.

Piloti i McLaren mori pjesë në një event të veçantë të organizuar nga sponsori Monster Energy, ku provoi disa makina rally dhe drifting mbi një liqen të ngrirë në Suedi.

Norris ka qenë prej kohësh admirues i rally-t. Në vitin 2022 ai kishte deklaruar se do të donte ta provonte këtë disiplinë në të ardhmen, gjë që bëri që Solberg ta ftonte britanikun të testonte një nga makinat e tij rally.

Në vitin 2024, Oliver Solberg, i cili është gjithashtu anëtar i kompanisë Quadrant të themeluar nga Norris, shkoi në Silverstone Circuit për t’iu bashkuar pilotit të McLaren në disa xhiro në pistën e famshme të Grand Prix, këtë herë në timonin e një supermakine McLaren.

Në këtë shkëmbim të fundit pilotësh në Suedi, Norris fillimisht u ul në makinën GR Yaris Rally2 në vendin e pasagjerit pranë Oliverit, përpara se të ndërronin vendet.

“Po mësoj. Është një stil krejt tjetër drejtimi. Kam bërë pak vozitje në akull, por jo me një makinë rally, vetëm me makinë rruge, kështu që është ndryshe. Po mësoj shumë dhe Oliver po më ndihmon ta kuptoj më mirë. Është shumë interesante”, tha Norris për përvojën me makinën rally në një video të Monster Energy nga eventi.

“Dolëm disa herë nga pista, por kjo ndodh. Duhet të provosh limitet, kështu që bravo, bëri punë të mirë”, shtoi Oliver Solberg.

Edhe Petter Solberg, i cili e ndoqi Norris teksa drejtonte një makinë Volkswagen Polo Rally2, mbeti i impresionuar nga performanca e kampionit të F1.

“Ishte një event i jashtëzakonshëm. Më pëlqeu shumë, por jam shumë i lumtur që pashë sa shumë po e shijonte Norris”, tha Solberg.

“Në fakt u impresionova shumë dhe në fund ai po shtynte vërtet fort. Po drejtoja pas tij dhe nuk arrita ta kap, kështu që ishte vërtet shumë i mirë”.

TË FUNDIT