“Nuk lejoj që të ankohen publikisht për bashkëlojtarët”, Foda komenton situatën e Sahitit

“Nuk lejoj që të ankohen publikisht për bashkëlojtarët”, Foda komenton situatën e Sahitit

“Nuk lejoj që të ankohen publikisht për bashkëlojtarët”, Foda komenton situatën e Sahitit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur hapur për mungesën e disa lojtarëve në listën e fundit të grumbullimit, përfshirë Emir Sahitin dhe Bersant Celinën. Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, trajneri gjerman ka qenë i qartë në qëndrimin e tij, duke kërkuar disiplinë dhe respekt brenda grupit.

Sahiti, sulmuesi i Hamburgut, nuk është ftuar për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, dhe në mënyrë të veçantë është komentuar intervista që ai kishte dhënë më herët për mediat gjermane, ku ankohej për mungesën e tij në formacionin titullar dhe për mënyrën se si menaxhohej grupi.

“Te Emiri është një situatë tjetër. Nuk lejoj që askush të flasë keq për bashkëlojtarët. E pashë intervistën e tij. Është e drejtë të kesh pakënaqësi për minutat ose për vendin në formacion, por nuk është në rregull të flasësh publikisht për shokët e skuadrës,” – u shpreh Foda.

“Nuk kam asnjë problem personal me Emir Sahitin. Nuk është intervista arsyeja pse nuk është ftuar, por duhet të kuptohet që në atë pozitë kemi shumë konkurrencë. Këtë herë kemi vendosur për një grup tjetër. Unë dua që të fokusohemi te lojtarët që janë aktualisht të grumbulluar.”

Trajneri shtoi se vendimet duhet të pranohen dhe se dyert e Kombëtares nuk janë të mbyllura për askënd:

“Kur lojtarët i pranojnë vendimet e trajnerit dhe tregojnë përkushtim, atëherë ata janë gjithmonë të mirëpritur në këtë ekip.”

Celina në planet për të ardhmen

Një tjetër emër që mungon në listën e grumbullimit është mesfushori kreativ i AIK-ut, Bersant Celina. Foda zbuloi se ka zhvilluar një bisedë të mirë me të para dy javësh dhe ka lënë të hapur mundësinë që ai të rikthehet shumë shpejt.

“Me Celinën kisha një bisedë shumë të këndshme. Është e rëndësishme që ai është gati të luajë për Kosovën. I thashë se nëse vazhdon me këtë formë, do të jetë pjesë e planeve për ndeshjet e ardhshme. Këtë herë kemi zgjedhur një grup që besoj se është më i përshtatshëm për këto dy sfida.”

Kosova përballet me Slloveninë dhe Suedinë

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë në fushë më 10 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” përballë Sllovenisë, ndërsa më 13 tetor udhëton drejt Suedisë për të zhvilluar një tjetër sfidë të rëndësishme. Të dyja ndeshjet janë pjesë e fazës kualifikuese dhe konsiderohen thelbësore për objektivat e Kosovës.

 

TË FUNDIT