Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Shqipëri, pasi u kap në flagrancë duke u larguar me një automjet të vjedhur në zonën e Astirit. Operacioni policor i koduar “Short time”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, u finalizua me sukses, duke çuar në arrestimin e të dyshuarit dhe sekuestrimin e mjetit të vjedhur.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 17 korrik 2025, kur një shtetase denoncoi në polici vjedhjen e automjetit të saj të parkuar në zonën e Astirit. Menjëherë pas kallëzimit, strukturat e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, shkruan AutoPortali.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet A. M., banues në Tiranë, pasi kishte vjedhur automjetin, ishte larguar me të në drejtim të bulevardit “Bajram Curri”. Por, gjatë ndjekjes nga ana e shërbimeve të Policisë, ai ka tentuar të shmangë ndalimin duke mos iu bindur urdhrave të efektivëve. Përpjekja për arratisje u ndërpre në kohë nga patrullat, të cilat arritën ta ndalojnë dhe ta arrestojnë në flagrancë.
Automjeti i vjedhur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit tashmë rëndon akuza për “Vjedhje” dhe “Mosbindje ndaj punonjësit të policisë”.




