Pas një sezoni 2025 ku ka udhëhequr për pjesën më të madhe të kampionatit, Oscar Piastri po kalon një periudhë të vështirë. Performancat e dobëta në Austin dhe Meksikë kanë ngritur dyshime, madje edhe për një ndërrim të mundshëm të shasisë së McLaren MCL39, një shenjë që diçka nuk po funksionon si duhet.
Sipas shefit të ekipit Andrea Stella, Piastri ka vështirësi në pistat me pak kapje (fërkim) gomash, ku makina bëhet më e paqëndrueshme. Në Meksikë, ai u pa duke humbur shpesh kontrollin e pjesës së pasme, ndonëse McLaren-i i tij ruajti mirë gomat.
Problemi është se këto kushte e dëmtojnë Piastrin, ndërsa Lando Norris shkëlqen pikërisht në to. Norris shfrytëzoi në maksimum pikat e forta të MCL39 për të fituar në Meksikë dhe për të marrë kreun e kampionatit edhe pse vetëm me një pikë më shumë.
Për Piastrin, sfida tani është të ndalë këtë prirje negative. Pistat me më shumë kapje mund ta ndihmojnë, por gara e radhës në Brazil (Interlagos) mbart rrezikun e shiut, kusht që mund t’i sjellë sërish vështirësi.
Fati i tij në garën për titull mund të varet pikërisht nga mënyra si do të përballet me këtë dobësi.




