Po udhëtoni në Evropë këtë verë? Ja çfarë duhet të dini
P

Po udhëtoni në Evropë këtë verë? Ja çfarë duhet të dini

Nga valët e të nxehtit dhe zjarret, deri te taksat për turistët dhe grevat në aeroporte ky sezon veror në Evropë po shoqërohet me sfida të shumta për udhëtarët. Ekspertët këshillojnë që pushuesit të jenë të përgatitur me siguracionin e duhur, të ndjekin paralajmërimet për motin dhe të informohen për kufizimet apo taksat që i presin në destinacion.

Valë të nxehti dhe zjarre përfshijnë kontinentin

EuroNews shkruan, se që nga qershori, Evropa po përballet me valë të të nxehtit që kanë krijuar kushte ekstreme për shpërthimin e zjarreve. Fundjavën e kaluar, Spanja dhe Portugalia shpallën gjendje alarmi për shkak të temperaturave mbi 40 gradë Celsius dhe rrezikut të zjarreve, transmeton AutoPortali.

Greqia dhe Turqia kanë qenë gjithashtu në luftë me flakët gjatë gjithë verës, duke detyruar mijëra njerëz të braktisin shtëpitë dhe duke evakuuar turistë. Disa zona të Italisë, përfshirë Sardenjën, dhe pjesë të Francës janë goditur po ashtu.

Përveç zjarreve, vetë temperaturat ekstreme paraqesin rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Rritet aktiviteti sizmik në Evropën Jugore

Destinacionet e njohura turistike si Kreta, Santorini, Napoli, Sicilia dhe Turqia janë goditur këtë verë nga tërmete dhe shpërthime vullkanike. Edhe pse pa pasoja serioze, këto fenomene kanë shqetësuar vizitorët dhe kanë çuar në evakuime të papritura.

Në Santorini, autoritetet lokale vlerësojnë se numri i turistëve mund të bjerë deri në 25% këtë vit, për shkak të shqetësimeve mbi aktivitetin sizmik.

Si të përgatiteni për katastrofat natyrore dhe motin ekstrem

Udhëtarët këshillohen të ndjekin paralajmërimet lokale për zjarr, tërmete apo të nxehtë ekstrem. Para nisjes, hulumtoni rreziqet në zonën që do të vizitoni, regjistroni telefonin për njoftime emergjente dhe ndiqni aplikacionet zyrtare për motin dhe lajmet.

Gjatë një vale të të nxehtit, shmangni aktivitetet fizike në mesditë, konsumoni shumë ujë dhe ndiqni këshillat e autoriteteve. Nëse keni planifikuar aventura në natyrë, shqyrtoni ndryshimin e datave nëse pritet mot ekstrem.

Siguracioni i udhëtimit: zgjidhni mbulimin e duhur

Zgjidhni një siguracion që mbulon rastet e motit ekstrem dhe katastrofave natyrore, sidomos nëse planifikoni të anuloni pushimet para nisjes. Nëse autoritetet nuk lëshojnë urdhër zyrtar për ndalim udhëtimi, anulimi nga ana juaj nuk mbulohet nga shumica e policave.

Shumica e siguracioneve nuk mbulojnë humbjen e përvojës (“loss of enjoyment”) pra nuk kompensoheni nëse qëndroni të mbyllur në hotel për shkak të motit. Rimbursimi është i mundur vetëm nëse fluturimi ose akomodimi anulohet nga ofruesit. Kontrolloni nëse polica përfshin mbulim për ndërprerje udhëtimi dhe fatkeqësi natyrore përpara nisjes.

Taksat për turistët, tarifat dhe kufizimet e reja

Destinacionet evropiane po vendosin gjithnjë e më shumë taksa dhe kufizime për të menaxhuar flukset turistike. Në Greqi, Santorini dhe Mykonos aplikojnë një tarifë prej 20 euro për pasagjerët e kroçerave gjatë sezonit të lartë, ndërsa Santorini ka vendosur edhe një kufi ditor prej 8,000 vizitorësh.

Athina ka kufizuar hyrjet në Akropol në maksimum 20,000 vizitorë në ditë me bileta të rezervuara në orare të caktuara. Në Spanjë, Barcelona ka rritur taksën komunale për qëndrimet në hotele me pesë yje në 6.75 euro për natë.

Ibiza ka vendosur kufizim për numrin e automjeteve të turistëve nga 1 qershori deri më 30 shtator me një tavan prej 20,168 automjetesh dhe leje të detyrueshme me kosto 1 euro/ditë.

Në Itali, Pompeii ka kufi ditor prej 20,000 vizitorësh, ndërsa Koloseu në Romë lejon vetëm 3,000 njerëz njëkohësisht. Plazhet e Sardenjës kanë nisur të kërkojnë rezervime paraprake si plazhi Tuerredda, me maksimum 1,100 persona në ditë.

Një lajm i mirë: tarifa për hyrjen në Venecia është hequr që nga korriku.

Në Turqi, udhëtarët duhet të respektojnë rregulla të reja të Aviacionit Civil të qëndrojnë ulur me rripin e sigurisë të vendosur deri në ndaljen e plotë të avionit dhe të presin thirrjen për radhën e tyre për të zbritur. Shkelësit përballen me gjobë prej 70 dollarësh.

Grevat dhe vonesat në qendrat ajrore

Rritja e fluksit në sezonin veror sjell me vete edhe më shumë greva. Sindikata spanjolle UGT ka shpallur greva kombëtare në Azul Handling pjesë e grupit Ryanair nga 15 gushti. Ato do të zhvillohen çdo të mërkurë, të premte, të shtunë dhe të diel deri më 31 dhjetor 2025, në aeroporte si Madridi, Barcelona, Malaga, Ibiza, Girona, Palma de Mallorca e të tjera.

Ndërkohë, miliona pasagjerë në Francë, Spanjë dhe Itali rrezikojnë anulime dhe vonesa për shkak të grevave të kontrollit të trafikut ajror.

Si të përgatiteni për grevat

Kontrolloni faqet zyrtare të qeverive dhe kompanive ajrore për njoftime mbi grevat. Konfirmoni statusin e fluturimeve përpara se të niset për aeroport dhe shmangni orët e pikut. Siguracioni gjithëpërfshirës është i domosdoshëm në rast anulimi, kompania ajrore është e detyruar t’ju ofrojë: një itinerar alternativ sa më shpejt, udhëtim të shtyrë ose rimbursim të plotë brenda 7 ditëve.

Por, nuk mbulohen humbjet për rezervime hoteli apo shpenzime të tjera të shkaktuara nga vonesat. Për t’u mbrojtur ndaj këtyre, shtoni mbulim për ndërprerje udhëtimi në siguracionin tuaj. /AutoPortali 

TË FUNDIT