Prodhuesi suedez i veturave elektrike, Polestar, ka shkruar histori duke vendosur një rekord të ri në Librin e Rekordeve Guinness me SUV-in e tij elektrik, Polestar 3. Automjeti përshkoi plot 935.44 kilometra me një karikim të vetëm, duke thyer çdo pritshmëri për performancën e baterive në segmentin e SUV-ve të mëdhenj.
Rrugëtimi zgjati 22 orë e 57 minuta dhe u zhvillua në kushte të ndryshme atmosferike, përfshirë shiun, duke dëshmuar për rezistencën dhe efikasitetin e modelit. Ekipi i përfshirë në këtë sfidë përbëhej nga vozitës profesionistë, të cilët rotacionoheshin çdo tre orë për të ruajtur përqendrimin dhe sigurinë gjatë gjithë rrugës.
Përtej distancës zyrtare të certifikuar prej 935.44 km, Polestar 3 tregoi një efikasitet të jashtëzakonshëm prej 12.1 kWh për 100 kilometra, duke ruajtur 20% të kapacitetit të baterisë edhe pasi kaloi distancën zyrtare të vlerësuar sipas standardit WLTP (706 km). Madje, vetura arriti të përshkojë 12.8 kilometra shtesë edhe pasi bateria tregonte 0%, përpara se të ndalej pranë një karikuesi.
Vetura ishte në konfigurim standard, e pajisur me rrota 20-inç dhe goma Michelin Pilot Sport 4 EV, pa asnjë modifikim të bërë për qëllime rekordi. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm suksesin e arritur, duke dëshmuar për përparimet e fundit në teknologjinë e baterive dhe menaxhimin e energjisë në makinat elektrike.
Ngjarja u mbikëqyr dhe verifikua zyrtarisht nga Guinness World Records, me praninë e gjyqtares Paulina Sapinska. E gjithë përvoja u dokumentua me video, të dhëna GPS dhe mjete të tjera të pavarura, duke siguruar transparencë dhe besueshmëri në procesin e certifikimit.
Ky sukses shënon një hap të madh për Polestar në tregun global të veturave elektrike dhe forcon pozicionin e tij si një lider në teknologjinë e qëndrueshme të lëvizshmërisë.



