Policia e Kosovës me fushatë kundër vozitjes nën ndikimin e alkoolit
P

Policia e Kosovës me fushatë kundër vozitjes nën ndikimin e alkoolit

Policia e Kosovës ka intensifikuar fushatën vetëdijësuese kundër drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve fatale. Përmes një mesazhi të qartë dhe të drejtpërdrejtë, qytetarëve u bëhet thirrje të mos e rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve: “Mos e drejto mjetin nën ndikimin e alkoolit!”

Sipas Policisë së Kosovës, alkooli ndikon negativisht në aftësinë e drejtimit të automjetit duke ngadalësuar reagimin, dëmtuar përqendrimin dhe shtrembëruar vendimmarrjen. Këto pasoja janë shpesh faktorë të drejtpërdrejtë në aksidente me pasoja të rënda, shkruan AutoPortali.

Bazuar në Ligjin për Trafikun Rrugor në Republikën e Kosovës, janë paraparë sanksione të qarta për drejtuesit që kapen nën ndikimin e alkoolit:

Deri në 0.5 g/kg: gjobë 150 €, 1 pikë negative, 3 muaj masa mbrojtëse.

0.5 – 1 g/kg: gjobë 200 €, 2 pika negative, 3 muaj masa mbrojtëse.

1 – 1.5 g/kg: gjobë 300 €, 2 pika negative, 6 muaj masa mbrojtëse.

1.5 – 2 g/kg: gjobë 400 €, 3 pika negative, 9 muaj masa mbrojtëse.

Mbi 2 g/kg: gjobë 500 €, 3 pika negative, 12 muaj masa mbrojtëse.

Përfaqësues të Policisë kanë theksuar se fushata nuk është vetëm ndëshkuese, por edhe edukative, duke synuar që qytetarët të ndërgjegjësohen për pasojat e vozitjes në gjendje të dehur.

“Vozitja është përgjegjësi. Alkooli nuk përkon me sigurinë në rrugë. Ftojmë të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes dhe vetëdije të lartë në trafik,” thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovës.

TË FUNDIT