Policia Rrugore në Shqipëri ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në akset nacionale gjatë javës që lamë pas, duke përdorur teknologjinë më të avancuar për monitorimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit. Në kuadër të operacioneve për rritjen e sigurisë rrugore, Njësia Operacionale ka përdorur 2 dronë dhe 3 radarë Poliscan për të evidentuar në kohë reale sjelljet e rrezikshme në rrugë.
Fokusi i kontrolleve ka qenë tek shkeljet më të rrezikshme që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të aksidenteve, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe drejtimin e automjetit në gjendje të dehur apo nën efektin e alkoolit, shkruan AutoPortali.
Bilanci i javës flet qartë për përmasat e shkeljeve:
765 masa administrative për parakalime të gabuara;
423 masa për tejkalim të shpejtësisë, shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje pikësh;
876 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit;
1,121 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit;
128 masa për drejtim nën efektin e alkoolit.
Përmes përdorimit të dronëve dhe radarëve të lëvizshëm, shkeljet janë kapur në kohë reale, duke rritur ndjeshëm efektivitetin e ndërhyrjes. Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në ditët në vijim, me qëllim uljen e aksidenteve dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
“Respekto rregullat, shpëto jetë” – është mesazhi i përsëritur i Policisë Rrugore për çdo drejtues automjeti.




