Policia e Kosovës konkretisht ajo e Rajonit të Prishtinës ka intensifikuar angazhimet për rritjen e sigurisë në komunikacion, duke zbatuar plane konkrete operacionale në terren, pëcjell AutoPortali.
Përveç patrullimeve të rregullta, autoritetet policore kanë pranuar denoncime nga qytetarë dhe media lidhur me shkelje të ndryshme që po bëhen nga ngasës të automjeteve në rrugët e kryeqytetit dhe përreth.
Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e punës së njësive të trafikut ka qenë edhe identifikimi dhe ndëshkimi i kundërvajtësve, me qëllim që të rritet vetëdijësimi dhe të parandalohet rrezikimi i pjesëmarrësve në komunikacion.
Policia ka paralajmëruar se angazhimet në këtë drejtim do të vazhdojnë dhe do të shtrihen në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Vlen të theksohet se dje, AutoPortali ka raportuar për një rast shqetësues në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë, konkretisht në fshatin Shkabaj, ku një kamion që po qarkullonte në trafik ishte duke derdhur copëza betoni në rrugë. Ky veprim ka rrezikuar seriozisht sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, duke krijuar kushte të rrezikshme për qarkullim dhe potencialisht mund të shkaktonte aksidente.
Rasti është një shembull konkret i shkeljeve që qytetarët dhe mediat po i raportojnë, dhe që Policia e Rajonit të Prishtinës është duke i trajtuar me prioritet në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë rrugore. /AutoPortali/





