Prestigjiozja franceze France Télévision në kuadër të formatit të zgjeruar “Nous, les Européens” (“Ne, Evropianët”) i ka kushtuar një reportazh të veçantë Shqipërisë, të cilën e cilëson si “Eldorado-n e re turistike të Evropës”.
Në episodin e transmetuar më 5 gusht, media franceze nënvizonë se Shqipëria dikur e izoluara, e bllokut lindor po përjeton një bum të jashtëzakonshëm turistik, me një rritje prej 80% të numrit të vizitorëve në vetëm pesë vjet.
Gazetarët e emisionit kanë udhëtuar në terren për të sjellë nga afër transformimin e Shqipërisë nga një regjim i mbyllur në një destinacion që sot tërheq turistë nga e gjithë bota.
Me ujëra të kristalta dhe ishuj të pabanuar kjo nuk është as Karaibe, as Maldive, por Shqipëria, e pozicionuar mes Greqisë dhe Italisë, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota. Në këtë vend ku civilizimet mesdhetare janë ndërruar brez pas brezi, kanë mbetur gjurmë mahnitëse greke, romake, bizantine, veneciane e osmane.
Më së fundi, gjatë bregdetit dhe në Tiranë, kryeqytet që dikur jetonte nën paranojën e një regjimi komunist, kanë mbetur bunkerët e ndërtuar në epokën e frikës nga invazionet – të shëmtuar si periudha që i prodhoi. Njëri prej tyre është kthyer sot në muze për turistët e habitur.
“Ky bunker nuk është përdorur kurrë për luftë, sepse kurrë nuk kemi pasur luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai është përdorur shumë për të marrë në pyetje njerëzit,” shpjegon Sokol Selami, guidë në Bunk’Art.
12 milionë turistë në vitin 2024
Kështu funksiononte regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, diktatorit të fundit stalinist në Europë. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë. Në vitin 1991, regjimi ra. Shqiptarët zbuluan lirinë. Gati 35 vjet më vonë, në sheshin kryesor të Tiranës po ngrihen ndërtesa ultramoderne.
Vendi i shqiponjave i është hapur botës dhe turistët po dynden: 12 milionë janë numëruar vetëm vitin e kaluar. Kjo është pasojë e efektit post-COVID, por edhe e fushatave të suksesshme qeveritare. Megjithatë, më shumë se gjithçka tjetër, janë rrjetet sociale që po e shpërthejnë famën e Shqipërisë.
“Kemi ardhur të xhirojmë për Shqipërinë për t’i inkurajuar njerëzit që ta vizitojnë, sepse në Poloni ende nuk është një destinacion shumë popullor,” thotë Adrianna Skon, një influencuese polake.
Edhe operatorët turistikë tashmë e dinë si ta shesin imazhin e vendit:
“Jam këtu me ftesë të një agjencie turistike polake që shet udhëtime në Shqipëri. Donim të kontrollonim nëse ia vlen vërtet – dhe që në ditën e parë po na duket super,” tregon ajo në prezantimin e videos së saj.
Pamje të krijuara nga influencuesit, markat apo edhe vizitorët e zakonshëm po e çojnë destinacionin Shqipëri drejt majave.
“Pamë video në TikTok, pastaj kërkuam më shumë dhe ja ku jemi,” tregojnë disa turistë.
Një tjetër avantazh për publikun – shpesh shumë të ri janë çmimet tepër të ulëta. /AutoPortali



