Projekte të reja për turizmin malor në Korçë
P

Projekte të reja për turizmin malor në Korçë

Përmirësimi i ofertës turistike të vendeve natyrore në rajonin e Korçës, duke përmirësuar aksesin dhe infrastrukturën e turizmit të aventurës, në Dardhë, Arrëz, Sinec dhe Nikolicë.

Sipas ScanTv, ky është investimi që pritet të kryhet në juglindje të vendit, me fokus ndërhyrjet rrugore në një nga zonat me potencial turistik në vend.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për projektin që do të zhvillohet në 4 fshatrat e përmendura më sipër, të cilat janë pjesë e Bashkisë së Korçës.

Ndërhyrjet në këto akse rrugore janë pjesë e projektit të Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri, i cili financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë eurosh, si dhe nga kredia shtesë sovrane prej 60 milionë eurosh e dhënë nga BERZH për qeverinë shqiptare.

Projekti po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa kontrata të tjera të ngjashme janë nënshkruar më parë. E fundit ishte përmirësimi i infrastrukturës së aksesueshmërisë dhe turizmit aventuresk në Alpet Shqiptare, një kontratë me vlerë 3.63 milionë euro.

Më herët, u nënshkrua një kontratë prej 1.52 milionë eurosh për rehabilitimin e segmentit rrugor nga rrethrrotullimi i Sopit deri te Ura e Darzezës.

Paralelisht, në kuadër të këtij programi, BERZH ka zhvilluar edhe tendera për përmirësimin e rrjetit elektrik në Alpet Shqiptare, duke synuar rritjen e aksesit në energji elektrike në këtë zonë.

TË FUNDIT