Qyteza e Pecës, monumenti i trashëgimisë në pikëtakimin e dy lumenjve
Q

Qyteza e Pecës, monumenti i trashëgimisë në pikëtakimin e dy lumenjve

Qyteza e Pecës është monument kulture i kategorisë së parë shpallur në vitin 2007 që ndodhet në pikëtakimin e dy lumenjve Drin i Bardhë dhe Lumë, në një gjuhëz kodrinore ku përballë Kullës së Lumës ngrihet kështjella e Pecës.

Kjo kodër e njohur me toponimin ‘Kodra e Pecës’ kufizohet sot në tri anët (veri–jug-perëndim) nga ujërat e liqenit artificial të hidrocentralit të Fierzës, ndërsa nga ana lindore e saj lidhet me fshatin Perbreg.

Kështjella për herë të parë është gjurmuar nga arkeologu Bep Jubani, i cili, në bazë të vrojtimeve të kryera, e përfshiu këtë vendbanim në periudhën e shekujve III-IV të e. sonë. Pjesa e sipërme e kodrës, ku shtrihet një pllajë e vogël, u kufizua me mure rrethuese me perimetër 445 m, duke fortifikuar një sipërfaqe prej 1 ha, por gjurmë të vendbanimit janë vënë re dhe jashtë sistemit fortifikues të kështjellës.

Muret rrethuese përgjithësisht ruhen mirë, sidomos në anët veriore dhe lindore. Një pjesë e tyre u zbulua nga gërmimet në lartësi që luhatet nga 0,40-1,70 m. Ato ndjekin relievin e kodrës, duke i dhënë kështjellës një formë të çrregullt e të ndërvarur nga terreni. Ana veriore e kështjellës ka një mbrojtje të sigurt natyrore nga rrëpirat shkëmbore që zbresin thikë mbi Drinin e Bardhë. I vetmi shteg kalimi, që përbëhet prej një masivi shkëmbor, ndodhet në skajin veri-perëndimor, shkruan ATSH.

Gjatë gjithë linjës së tij, veçanërisht në anën jugore, muri rrethues vijon me disa kënde të lehta, ndërsa në anën juglindore bën një kalim paksa të harkuar.

TË FUNDIT