Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot disa foto nga plazhi publik i Durrësit, ku janë dukshëm rezultatet e aksionit për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare. Në një postim në rrjetet sociale, Rama i shoqëroi imazhet me një përshëndetje për qytetarët.
“Me këto hapësira relaksuese nga plazhet publike në Durrës, ju uroj një javë të mbarë,” shkruan ai.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur prej disa ditësh dhe po zhvillohet me intensitet në të gjithë vendin, nën drejtimin e vetë kryeministrit. Qëllimi i këtij operacioni është garantimi i aksesit të lirë të qytetarëve në vijën bregdetare dhe çlirimi i zonave të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte private.
Pamjet e publikuara tregojnë hapësira të pastruara, shezlongë të vendosur në mënyrë të organizuar dhe ambiente të përmirësuara për pushuesit. Aksioni ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale, por ka edhe zëra kritikë që kërkojnë zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë subjektet përgjegjëse.
Ky operacion vjen në një moment kur sezoni turistik është në kulmin e tij dhe kërkesa për plazhe të pastra dhe të aksesueshme është më e lartë se kurrë.




