Në ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm spekulimet rreth të ardhmes së Raphinhës te Barcelona.
Mediat spanjolle dhe ato ndërkombëtare kanë raportuar se 28-vjeçari po merret në konsideratë nga klubet e Arabisë Saudite dhe se ai madje kishte një marrëveshje paraprake me Barcelonën për t’u larguar kur të dëshironte, ndoshta pas Kupës së Botës së vitit të ardhshëm.
Mirëpo, vetë lojtari ka reaguar me tone të forta. Përmes një postimi në Instagram, të transmetuar nga Mundo Deportivo, Raphinha ka mohuar plotësisht lajmet që qarkulluan gjatë ditëve të fundit.
“E nuk e kuptoj se nga i nxjerrin gjithë këto budallallëqe ‘shumë të vërteta’. Ky lajm që del gjithmonë është thjesht fake news”, shkroi braziliani, duke i quajtur pretendimet të pabaza.
Raphinha ka deklaruar vazhdimisht se është i lidhur fort me klubin katalanas, të cilit iu bashkua në verën e vitit 2022 nga Leeds United.
Së fundmi ai është rikthyer pas dy dëmtimeve të njëpasnjëshme në muskuj, megjithëse ndaj Real Betisit u la në stol në fitoren 5–3 të Barcelonës të shtunën.
Për brazilianin, zërat për transferim nuk janë diçka e re, gjatë qëndrimit të tij në “Camp Nou”, ai ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, sidomos nga Premier League.
Vitet e fundit, Arabia Saudite është shfaqur gjithashtu si një opsion i mundshëm, megjithatë, Raphinha ka qenë i prerë, e ardhmja e tij është e lidhur me Barcelonën.
Kjo qartësi u pasqyrua edhe në rinovimin e tij të kontratës më herët gjatë këtij sezoni.
Me ardhjen e trajnerit Hansi Flick, roli i Raphinhës është bërë edhe më i rëndësishëm.
Ai ka qenë ndër pikat kyçe të skuadrës, duke shkëlqyer në krah të Pedrit dhe Lamine Yamalit. Nëse arrin të shmangë dëmtimet deri në fund të sezonit, pritet që Barcelona të luftojë seriozisht për trofetë kryesorë të qershorit.
Ndërsa Arabia Saudite mund të vazhdojë të shfaqë interes, vetë lojtari ka qenë i palëkundur: nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelona për momentin. /AutoPortali



