Rihapet linja hekurudhore Freiburg–Bern pas shtatë javësh ndërprerje totale
R

Rihapet linja hekurudhore Freiburg–Bern pas shtatë javësh ndërprerje totale

Pas një ndërprerjeje të plotë që zgjati shtatë javë, linja hekurudhore ndërmjet Freiburgut dhe Bernës është rihapur sërish të hënën në mëngjes. Që nga ora 04:00, trenat kanë nisur të qarkullojnë sipas orarit të rregullt, duke rikthyer normalitetin për mijëra udhëtarë që e përdorin këtë itinerar çdo ditë, raporton SRF.

Linja në fjalë është pjesë e një korridori hekurudhor të rëndësishëm në Zvicër, që lidh Gjenevën me St. Gallenin në aksin lindje–perëndim. Gjatë periudhës së mbylljes, janë realizuar punime të mëdha infrastrukturore me një investim prej 90 milionë frangash zvicerane, ku janë angazhuar mbi 200 punëtorë, transmeton AutoPortali.

Sipas njoftimit të SBB-së, ndërhyrjet përfshinë rindërtimin e plotë të stacionit Schmitten (FR), rinovimin e ndërruesve në pjesën lindore të stacionit të Freiburgut, mirëmbajtjen e binarëve në zonën e Düdingenit, si dhe përmirësime në linjat ajrore dhe binarët në segmentin Bern–Flamatt.

Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët u përballën me ndryshime të mëdha në itinerar, duke u detyruar të përdorin autobusë zëvendësues apo rrugë devijuese, gjë që shpesh shkaktoi vonesa në udhëtim.

Megjithatë, SBB thekson se mbylljet e plota, ndonëse të papërshtatshme përkohësisht, janë mënyra më efikase për të përfunduar projektet e mëdha në një afat të shkurtër. Në të kundërtën, sipas kompanisë, këto punime do të kishin zgjatur deri në tre vjet nëse do të kryheshin pa ndalur trafikun hekurudhor.

TË FUNDIT