Rivalitet i skajshëm në dy ndeshjet e së shtunës
R

Rivalitet i skajshëm në dy ndeshjet e së shtunës

Golden Eagle Ylli shënoi fitore shumë të vlefshme ndaj Pejës në udhëtim me rezultat maksimalisht i ngushtë 72:73 (24:15, 18:20, 10:23, 20:15), në javën e 25-të të Prince Caffe Superligës.

Kampionët e Kosovës e nisën ndeshjen shumë më mirë dhe qysh në çerekun e parë krijuan epërsi të lartë, 20:6, kurse kjo pjesë përfundoi 24:15. Therandasit u rikthyen shpejt për të ngushtuar shifrat në 35:33, derisa pjesa e parë përfundoi 42:35.

Mysafirët ishin shumë më të mirë në periodën e tretë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, ku vendasit për dhjetë minuta shënuan dhjetë pikë, kurse rezultati pas 30 minutash ishte 52:58. Por, pejanët nuk u dorëzuan dhe deri në fund u zhvillua lojë dramatike, ku herë njëra e herë tjetra kalonte në epërsi, derisa në fund pikët vendimtare u shënuan nga Graf i mysafirëve, kurse aksionin e fundit nuk e konkretizuan vendasit me anë të Thomas dhe sfida përfundoi 72:73.

Deandre Davis kishte dhjetë pikë e shtatë kërcime te vendasit dhe Arian Qallaku 13 pikë e pesë kërcime, derisa më i mir te mysafirët ishte Jalen Nesbitt me 16 pikë e gjashtë kërcime.

Peja është e dyta me 17 fitore e tetë humbje, kurse Golden Eagle Ylli i treti me 16 fitore e nëntë humbje.

Në ndeshjen tjetër, Trepça ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me shifrat 77:80 (19:20, 15:15, 23:20, 20:25).

Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë me vendasit që kishin deri në katër pikë epërsi, kurse me të njëjtën monedhë ju përgjigjën edhe mysafirët, duke përfunduar 19:20. Edhe perioda e dytë ishte tërësisht e barabartë.

Ngjashëm ishte loja edhe në pjesën e dytë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej dhe rezultati ishte i ngushtë deri në fund, ku vendimtar ishin nëntë pikët e Darnell Edge në dy minutat e fundit për rezultatin përfundimtar 77:80.

Më i miri te Vëllaznimi ishte Jalen Ray me 20 pikë, katër kërcime e tri asistime, derisa te Trepça u dalluan Darnell Edge me 20 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime dhe Drilon Hajrizi me 19 pikë e pesë kërcime.

Vëllaznimi mbetet në vendin e pestë me 11 fitore e 14 humbje, derisa Trepça e para me 23 fitore e dy humbje.

TË FUNDIT