Roger Federer bëhet miliarder
R

Roger Federer bëhet miliarder

Edhe pse ka kaluar gati tre vite që kur Roger Federer u tërhoq nga tenisi profesionist, emri i tij vazhdon të shkëlqejë jo vetëm në historinë e sportit, por edhe në botën e biznesit. Së fundmi, 44-vjeçari zviceran është bërë zyrtarisht miliarder, duke u bashkuar me klubin ekskluziv të “10-shifrorëve”, sipas revistës Forbes.

Pasuria neto e Federer-it është vlerësuar në 1.1 miliardë dollarë, sukses ky që nuk vjen vetëm nga lavdia në fushë, por edhe nga investimet e zgjuara dhe marrëveshjet afatgjata. Një pjesë kyçe e kësaj arritjeje është rritja e vlerës së aksioneve të tij në kompaninë zvicerane të veshjeve sportive On, ku Federer zotëron 3 për qind të aksioneve që nga viti 2019.

Brandi On është rritur me shpejtësi në arenën ndërkombëtare, dhe tani ka në listën e ambasadorëve të tij yje si Iga Swiatek, fituese e gjashtë titujve Grand Slam, numri 6 në botë Ben Shelton, dhe talenti në ngritje Zhoao Fonseca.

Gjatë një karriere të gjatë dhe të lavdishme prej 24 vitesh, Federer fitoi 103 tituj dhe arkëtoi 131 milionë dollarë nga tenisi. Por fitimet më të mëdha erdhën nga bashkëpunimet me brande prestigjioze si Rolex, Mercedes-Benz, Moët & Chandon dhe Lindt, duke i sjellë atij afro 1 miliard dollarë nga sponsorët.

Roger Federer, edhe pas pensionimit, mbetet një ikonë globale  një shembull i rrallë se si talenti, eleganca dhe mençuria mund të sjellin sukses të qëndrueshëm, brenda dhe jashtë fushës.

TË FUNDIT