Ross Brawn ka nisur një aventurë të re në MotoGP, pasi është emëruar këshilltar strategjik i drejtuesit të Pramac, Paolo Campinoti. Lajmi u konfirmua nga skuadra italiane, që dy vite më parë fitoi titullin me Jorge Martin.
Britaniku, i njohur për sukseset me Ferrari dhe Mercedes në Formula 1, do të ndihmojë ekipin me eksperiencën e tij shumëvjeçare në sportet motorike. Gjatë karrierës, ekipet e drejtuara prej tij kanë fituar 22 tituj botërorë.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem Pramac. Ky ekip ka ndërtuar një organizatë të fortë dhe ambicioze”, deklaroi Brawn.
Pramac garon këtë sezon me Toprak Razgatlioglu dhe Jack Miller, ndërsa partneriteti me Yamaha mbetet një nga projektet kryesore të skuadrës italiane.



