Rikthimi i Formula 1 në pistën e Imolas rikujtoi edhe një herë tragjedinë që ndodhi më 1 maj 1994, kur legjenda braziliane Ayrton Senna humbi jetën në aksidentin fatal në kthesën Tamburello. Michael Schumacher, i cili ishte pas tij në garë, kujton ende momentet dramatike të atij çasti dhe dhimbjen që pasoi.
Në dokumentarin e Netflix “Schumacher”, kampioni i shtatëfishtë botëror rrëfen se fillimisht nuk besonte se Senna kishte vdekur. “Mendova se do të mungonte një apo dy gara dhe do të kthehej për të fituar titullin. Pastaj dikush më tha, ka vdekur. Nuk mund ta besoja”, tregon Schumacher.
Pas aksidentit, Schumaher fitoi garën me diferencë të madhe, por në podium nuk kishte festë, në shenjë respekti për Roland Ratzenberger, i cili kishte ndërruar jetë një ditë më parë. Dy orë pas garës, mjekët konfirmuan vdekjen e Sennas në vendin e ngjarjes.
“Pas dy javësh, në garën tjetër në Silverstone, ndjeva për herë të parë frikën e vërtetë. Mendova: ka kaq shumë vende në këtë pistë ku mund të vdesësh menjëherë”, rrëfen Schumacher, i cili pranon se për një kohë të gjatë nuk ishte i sigurt nëse do të mund të vazhdonte të garonte pa menduar për vdekjen.
Ayrton Senna vdiq në moshën 34-vjeçare. Po atë vit, Schumacher fitoi titullin e tij të parë botëror, duke nisur një epokë të re në Formula 1. Por ndjeshmëria dhe respekti i tij për Sennan mbeten të gjalla edhe sot, dekada më vonë.
Natyrisht, ky rrëfim i Schumacher ka ndodhur shumë vjet më parë, pasi që nga aksidenti me ski, “Shumi” nuk është në gjendje të flasë.