Ish-mesfushori i Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, beson se kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, do të fitojë Këpucën e Artë në EURO 2024.
Kampionati nis sot me ndeshjen mes Gjermanisë dhe Skocisë në “Allianz Arena në Mynih”.
Ronaldo, 39 vjeç, vjen në Kampionatin Evropian me një formë shumë të mirë. Pas një sezoni me 44 gola me klubin e tij AlNassr, pesë herë fituesi i Topit të Artë shkëlqeu me dy gola në fitoren e Portugalisë 3-0 ndaj Republikës së Irlandës në Aveiro, në fillim të kësaj jave.
Në mesin e një morie rekordesh që Ronaldo mund të vendosë në prag të EURO 2024, është edhe fitues i Këpucës së Artë për herë të dytë. 39-vjeçari fitoi çmimin në edicionin e mëparshëm në vitin 2021, ku Portugalia u eliminua në raundin e 1/8-ave.

Schweinsteiger mendon se kapiteni i Portugalisë do të përsërisë suksesin e 2021-shit dhe do të krijojë më shumë histori. Në një postim në Twitter, Schweinsteiger, kur u pyet se kush e fiton Këpucën e Artë, ai u përgjigj: “Cristiano Euro 2024”.
Ronaldo është rekordmen i garës me numrin më të madh të ndeshjeve (25), golashënuesi më i mirë (14) dhe më shumë edicione të luajtura (5).



