Kush do të jetë kampioni i Formula 1 në vitin 2026? Përgjigjja për këtë pyetje vlen jo një milion, por një miliard dollarë, sepse po hyjmë në një sezon plot të panjohura. Praktikisht, asgjë nuk është si 12 muaj më parë dhe lehtësisht mund të ndodhë që skuadrat që ishin autsajderë në vitin 2025 të marrin kryesimin. Gara e parë zhvillohet të dielën në Australi.
Lando Norris dhe McLaren kanë mbërritur në Melbourne me numrin 1 në makinë, megjithatë kjo mund të jetë më shumë një barrë sesa avantazh në pistë. Jozyrtarisht, pritshmëritë më të mëdha janë për Mercedes, që besohet se ka motorin më të fuqishëm, ndërsa shumëkush mendon se mund të jetë viti i Ferrarit. Po çfarë mendojnë sportistët dhe kampionët e njohur?
Disa emra të mëdhenj të sportit kanë dhënë parashikimet e tyre për sezonin 2026 të Formula 1, që konsiderohet një nga më intriguesit e viteve të fundit për shkak të ndryshimeve në makinat dhe rregullat teknike. Gara e parë zhvillohet të dielën në pistën Albert Park Circuit, në orën 05:00 sipas kohës sonë.

Më shumë vota për Lewis Hamilton
Erling Haaland, sulmuesi i Manchester Cityt dhe i Përfaqësueses së Norvegjisë, është një adhurues i madh i makinave dhe në garazhin e tij ka disa modele të shpejta, të shtrenjta dhe ekskluzive. Haaland thotë se i ndjek garat kur ka mundësi dhe ka favoritët e tij:
“Do të jetë shumë e ngushtë mes Max Verstappen dhe Lewis Hamilton. Më pëlqen Ferrari, kështu që uroj që ata të bëhen kampionë”, tha ylli i “qytetarëve”.
Siç pritej, më shumë mbështetje jashtë botës së F1 ka shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton. Veteranin britanik në krye e shohin edhe Serena Williams dhe Roberto Carlos, ndërsa mbështetësi më i zëshëm është ylli i NFL, Odell Beckham Jr.:
“Lewis Hamilton fiton dhe shkruan histori! Duhet të zgjedh Lewis-in, ai është njeriu im dhe është i vendosur të provojë diçka. Mendoj se George Russell mund të jetë surpriza e sezonit. Dhe respekt për Fernando Alonso, ai është GOAT. Por padyshim, Max Verstappen është piloti që duhet mundur! Dhe makina e McLaren është një ‘bishë’. Megjithatë, unë jam për Lewis-in”, tha Beckham.
:max_bytes(150000):strip_icc():focal(509x299:511x301)/Serena-Williams-australian-open-2-18d409839b8144f7beca7303b2ec020c.jpg)
Në mënyrë të ngjashme mendon edhe ish-futbollisti brazilian Alexandre Pato:
“Verstappen ose Hamilton (haha). Pashë që ditën e fundit të testimeve Hamilton bëri një punë të shkëlqyer. Mendoj se këtë herë mund ta mundë Verstappen-in”.
Natyrisht, Oscar Piastri mori mbështetjen më të madhe nga sportistët australianë. Pilotin që dominoi në gjysmën e parë të vitit 2025 në majën e podiumit e shohin lojtari i rugby-t Reece Walsh dhe futbollistja Sam Kerr.
“Nuk mund të zgjedh askënd tjetër përveç Oscar Piastri-t, gjithmonë duhet të mbështesim australianët”. tha Walsh.



