Shqipëri, shitjet në tregtinë me pakicë rritje me 7% në tremujorin e parë
S

Shqipëri, shitjet në tregtinë me pakicë rritje me 7% në tremujorin e parë

Tregtia me pakicë shënoi rritje të ndjeshme në volum të shitjeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT.

Indeksi i volumit të shitjeve, i përshtatur për faktorët sezonale, arriti vlerën 107,2, duke shënuar një rritje prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ky rezultat tregon një përmirësim të përgjithshëm të aktivitetit të tregtisë me pakicë dhe një tendencë pozitive në disa kategori produktesh.

Në tregtinë me pakicë, duke përfshirë hidrokarburet, vërehet një rritje e shitjeve prej 13,2%, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024.

Përveç kësaj, tregtia me pakicë e artikujve joushqimore ka kontribuar në rritjen e përgjithshme të volumit të shitjeve me 2,4 pikë përqindje, ndërsa produktet ushqimore dhe pijet kanë kontribuar me 1,4 pikë përqindje.

Shitjet e artikujve ushqimorë në markete janë rritur me 2,4 pikë përqindje, ndërsa tregtia e ushqimeve, pijeve dhe duhanit në njësi jo të specializuara ka pasur një rritje prej 1,1 pikë përqindje.

Grupi i hidrokarbureve gjithashtu ka pasur një ndikim pozitiv, duke kontribuar me 3,2 pikë përqindje në rritjen e shitjeve.

Edhe kur krahasojmë periudhën tremujore, shikohet një rritje të moderuar prej 1,4% për tregtinë pa përfshirë hidrokarburet.

Megjithatë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve ka pësuar një rënie të vogël prej 0,3% në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Këto të dhëna flasin për një ngjallje të konsumit dhe një rritje të përgjithshme në aktivitetin ekonomik, e lidhur edhe me zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit.

Një fluks më i madh turistik shoqërohet me një rritje të konsumit të produkteve dhe shërbimeve.

TË FUNDIT