Shqipëria merr pikën e parë në Evropian, barazon me Kroacinë
S

Shqipëria merr pikën e parë në Evropian, barazon me Kroacinë

Shqipëria e ka fituar pikën e parë në Kampionatin Evropian, duke barazuar 2:2 me Kroacinë.

Klaus Gjasula ruajti qetësinë në minutën e 95-të, gjuajti saktë për t’ia siguruar pikën e madhe Shqipërisë. Ndeshja e së mërkurës pasdite në Hamburg përfundoi 2:2. Ishte prej më të mirave dhe më interesanteve deri më tani në EURO 2024.

Të dy përfaqësueset e kanë vetëm nga një pikë në Grupin.

Gjatë gjithë ditës në Hamburg kishte festë futbolli. Dhe shfaqja në fushën e blertë shkoi në këtë drejtim.

Kuqezinjtë nisën ndeshjen me siguri maksimale dhe duke kontrolluar mesfushën. Në minutën e 11-të, Jasir Asani krosoi bukur në zonë, ndërsa Qazim Laçi gjuajti me kokë për 1:0.

Kjo nuk ishte e tëra nga Shqipëria në pjesën e parë. Dominimi i lojtarëve të Shqipërisë ishte i plotë. Rrezikoi më pas Nedim Bajrami, kurse rast të artë humbi Kristjan Asllani. Fare në fund, Rey Manaj goditi me kokë por portieri kroat shpëtoi portën e tij.

Pas pjesës së parë rezultati ishte 1:0 në të mirë të Shqipërisë.

Situata në fushë ndryshoi në pjesën e dytë. Kroatët rreshtuan sulmet dhe nuk vonoi shumë për të të barazuar rezultatin. Andrej Kramariq shënoi për 1:1 në minutën e 74-t. Vetëm dy minuta më pas Klaus Gjasula shënoi autogol për epërsinë 2:1 të Kroacisë. Në fakt kapiteni Berat Gjimshiti bllokoi një gjuajtje, Topi goditi Gjasulën në këmbë e prej tij shkoi në portë.

Lojtarët e Shqipërisë ishin disi të humbur në atë periudhë loje dhe Kroacia rrezikoi sërish.

Sylvinho ndërhyri duke aktivizuar Arbër Hoxhën dhe Mirlind Dakun. Dhe kjo solli sërish ndryshimin e situatës në fushë.

Shqipëria sërish ishte e rrezikshme, ndërsa Arbër Hoxha pati një rast të mirë. Por goditja e tij u ndal. Në minutat shtesë u shënua goli i barazimit. Pas një devijimi, topi erdhi te Gjasula që goditi saktë për 2:2 në minutën e 95-të.

Festa në fund u takoi kuqezinjve dhe të paktën 20 mijë tifozëve shqiptarë në stadium. Ata në fakt kanë festuar gjithë ditën, së bashku me tifozët kroatë.

Më 24 qershor, Shqipëria luan ndaj Spanjës në Duesseldorf, ndërsa Kroacia takohet me Italinë në Leipzig.

TË FUNDIT