Shqipëria ka përjetuar një korrik të ngarkuar me vizita nga të huajt, duke e konfirmuar edhe një herë rolin e saj si një destinacion turistik në rritje.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit korrik kanë hyrë në vend mbi 1.8 milionë shtetas të huaj, një shifër që tregon një interes të vazhdueshëm për plazhet, qytetet historike dhe natyrën e vendit tonë.
Sipas TvKlan, pjesa më e madhe e vizitorëve, afro 95%, vijnë nga Evropa. Brenda këtij grupi, Evropa Jugore zë peshën kryesore me rreth 68% të hyrjeve. Ndërkohë, një rritje të dukshme kanë pasur edhe vizitorët nga Evropa Perëndimore dhe Evropa Qendrore-Lindore, të cilët së bashku përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të fluksit hyrës.
Qëllimi kryesor i ardhjes në Shqipëri mbetet turizmi. Plot 99% e hyrjeve të të huajve janë për arsye personale, pushime verore, vizita tek të afërm apo udhëtime turistike në destinacione të ndryshme të vendit.
Megjithatë, vihet re edhe një trend i ri, ku vizitat për arsye biznesi dhe profesionale janë rritur me 15.6% krahasuar me një vit më parë. Ky është një sinjal i qartë se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë jo vetëm vizitorë, por edhe investitorë e profesionistë që e shohin vendin si një pikë të rëndësishme të lidhjes rajonale.
Në total, gjatë korrikut u regjistruan mbi 2.6 milionë hyrje dhe dalje nga kufijtë e vendit. Këto shifra dëshmojnë një sezon veror intensiv, ku turizmi mbetet protagonisti kryesor dhe Shqipëria e forcon gjithnjë e më shumë praninë e saj në hartën europiane të udhëtimeve dhe pushimeve. /AutoPortali



