Super garë, mision i përmbushur – Ermira Topalli mbretëreshë e auto sllallomit
S

Super garë, mision i përmbushur – Ermira Topalli mbretëreshë e auto sllallomit

Me organizim të shkëlqyeshëm të Auto Moto Club Kosova (AMCK) e Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe pjesëmarrje massive nga Policia e Kosovës, të shtunën në parkingun jugor të qendrës tregtare “Prishtina Mall” është mbajtur gara në disiplinën auto sllallom me vetura elektrike.

Përveç karakterit garues, qëllimi ishte edhe sensibilizimi në luftë kundër kancerit të gjirit.

Tetë ekipe garuese, shtatë nga secili regjion i Policisë së Kosovës dhe një nga Drejtoria e Përgjithshme u sfiduan gjatë tërë ditës për t’u përcaktuar më të mirët në konkurrencat përkatëse (meshkuj e femra), pastaj në konkurrencën ekipore, por edhe në superfinalen e madhe.

Pas garës të mbi 80 pjesëmarrësve, u përcaktuan dhjetë më të mirët (nga pesë në dy konkurrencat) për të garuar në finalen e madhe.

Në një konkurrencë tepër të fortë, fituese doli Ermira Topalli nga Rajoni i Ferizajt – 05, e cila pati kohë fantastike prej 37.830 e 37.939 sekonda (koha e përgjithshme (01:15.769).

“Në radhë të pare falënderoj organizatorët për misionin e kësaj gare, pra synimin për ndërgjegjësim në luftë kundër kancerit të gjirit. Po ashtu falënderoj të gjithë kolegët nga Policia e Kosovës për pjesëmarrje kaq masive. Ndërsa, sigurisht jam e kënaqur edhe për fitoren, sidomos nëse e marrim parasysh që konkurrenca ishte shumë e fortë, pasi në finale garuam edhe me meshkuj”, ka thënë Ermira pas fitores.

Ish-garuesja e AK Ferizajt, përkundër shkëputjes nga garat për një kohë bukur të gjatë, dëshmoi se është specialiste e kësaj disipline.

I kënaqur me rrjedhën dhe garën në përgjithësi është shprehur edhe drejtori i garës, Ismet Rexhepi.

“Ishte ditë e gjatë, por e mrekullueshme. Falënderim i madh për Policinë e Kosovës për këtë pjesëmarrje kaq masive. Synimi ynë ishte që sado pak të sensibilizojmë opinionin në luftën kundër kancerit të gjirit dhe kjo ishte më e pakta që mund ta bëjmë për gratë e prekura nga kjo sëmundje. Besoj se edhe në të ardhmen do të organizojmë gara me karakter të tillë”, ka thënë Rexhepi.

Në pozitën e dytën e dytë u rendit Kastriot Ratkoceri nga Drejtoria e Përgjithshme, ndërsa pozita e tretë i takoi Ram Bobajt nga Rajoni i Prizrenit.

Në garën e konkurrencës së femrave, në tri pozitat e para u renditën: Ermira Topalli nga Rajoni i Ferizajt, Adea Popaj (Rajoni i Prizrenit) dhe Shqipe Osmani – Ademaj nga Drejtoria e Përgjithshme.

Renditja ekipore tek femrat ishte: Rajoni i Ferizajt, Drejtoria e Pëgjithshme, Rajoni i Prizrenit, Rajoni i Gjilanit, Rajoni i Mitrovicës, Rajoni i Prishtinës, Rajoni i Pejës dhe Rajoni i Gjakovës.

Në garën e meshkujve më i miri ishte Ram  Bobaj nga Rajoni i Prizrenit, ndërsa në podium u gjendën edhe Kastriot Ratkoceri nga Drejtoria e Përgjithshme dhe Liridon Krasniqi nga Rajoni i Prishtinës.

Ndërsa, renditja e rajoneve ishte: Prizreni, Peja, Drejtoria e Përgjithshme, Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani dhe Gjakova.

Klubi organizator, AMCK, për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ka ndarë një donacion me vlerë prej 3000 euro për blerjen e pakove të nevojshme, ndërsa është premtuar se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

 

TË FUNDIT