Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë në vend, Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 tonë në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishiu, njoftoi se ndalesa do të hyjë në fuqi duke filluar nga nesër, 23 korrik, dhe do të zgjasë deri më 28 korrik 2025. Kufizimi do të aplikohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 17:00, shkruan AutoPortali.
“Kjo masë është ndërmarrë për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës rrugore dhe për të garantuar sigurinë në trafik, në kushte ekstreme klimatike,” tha Durmishiu në një deklaratë publike.
Ai shtoi se vendimi mund të ndryshohet varësisht nga zhvillimet klimatike në ditët në vijim.
Autoritetet apelojnë tek shoferët dhe kompanitë transportuese që të respektojnë ndalesën dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në oraret e lejuara, për të shmangur penalizimet dhe për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë publike.






