Prestigjiozja britanike The Sun i ka kushtuar rëndësi të veçantë planeve të Ryanair për zgjerimin në Shqipëri, duke e quajtur Ksamilin dhe Rivierën shqiptare si “Maldivet e Europës”.
Ryanair ka njoftuar hapjen e një baze të re me tre aeroplanë në Aeroportin e Tiranës nga prilli i vitit 2026, duke ofruar dhjetë linja të reja përfshirë Birmingham, Dublin, Verona, Maltën dhe Milanon. Paralelisht, do të shtohen edhe fluturimet nga Londra, çka do ta çojë numrin e përgjithshëm të fluturimeve javore nga Tirana në 450, drejt 33 destinacioneve, transmeton AutoPortali.
Planet afatmesme të kompanisë përfshijnë shtimin e tre aeroplanëve të tjerë, duke e çuar bazën në gjashtë avionë dhe duke synuar të transportojë mbi 5 milionë pasagjerë në vit.
Shefi ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, deklaroi se kompania është e vetmja që ofron bileta vërtet të lira drejt Shqipërisë. “Që nga nisja e fluturimeve në nëntor 2023, trafiku ynë do të rritet mbi 4 milionë pasagjerë në vitin 2026,” tha ai.
Ndërkohë, Piervittorio Farabbi, COO i Aeroportit të Tiranës, theksoi se sezoni i ardhshëm do të sjellë më shumë mundësi për të eksploruar botën nga Tirana, por edhe për të ekspozuar Shqipërinë turistike në më shumë tregje ndërkombëtare.
Artikulli i The Sun nënvizon potencialin turistik të Shqipërisë përtej kryeqytetit, duke e veçuar Ksamilin si një destinacion natyror spektakolar. I quajtur “Maldivet e Europës”, ai ndodhet rreth katër orë larg Tiranës dhe ofron ujëra kristal, plazhe me rërë të bardhë dhe ishuj të vegjël që mund të vizitohen me kanoe apo varka të vogël.

Po ashtu, edhe Wizz Air ka paralajmëruar nisjen e fluturimeve direkte nga Londra Gatwick drejt Tiranës brenda këtij viti, duke shtuar alternativat për turistët britanikë.
Biletat për linjën Birmingham–Tiranë, të parashikuar për prill 2026, fillojnë nga 50 paund, duke e bërë Shqipërinë dhe brigjet e saj gjithnjë e më të përballueshme për vizitorët e huaj.



