Turbulencat në fluturime në rritje globale, pse po ndodh kjo?
T

Turbulencat në fluturime në rritje globale, pse po ndodh kjo?

Kur aeroplani i kompanisë Delta nisi të dridhej dhunshëm gjatë një fluturimi nga Salt Lake City drejt Amsterdamit javën e kaluar, disa pasagjerë menduan se do të rrëzoheshin. Avioni kishte hyrë në një zonë me turbulenca të forta, duke përplasur pasagjerë në tavan dhe duke hedhur karrocat e shërbimit nëpër kabinë.

Një pasagjer e përshkroi ndjesinë si një tërmet. Aeroplani bëri ulje emergjente në Minneapolis, ku 25 persona u dërguan në spital, shkruan CNN, transmeton AutoPortali.

Ky është vetëm një ndër incidentet e shumta të fundit të shkaktuara nga turbulencat, disa prej të cilave kanë përfunduar me të lënduar, shtrime në spital dhe madje një vdekje. Vitin e kaluar, një 73-vjeçar vdiq nga sulm në zemër gjatë turbulencave të forta në një fluturim nga Londra për në Singapor.

Turbulencat, të shkaktuara nga çrregullime në atmosferë, janë ndër fenomenet më të paparashikueshme për pilotët. Ajri rrjedh si uji në një lumë: nëse nuk has pengesa, lëviz lirisht, por nëse ndesh në një pengesë, si një shkëmb, bëhet i paqëndrueshëm. Male dhe stuhi funksionojnë si pengesa të tilla, duke deformuar rrjedhën e ajrit.

Nga turbulencat mesatare deri tek ato ekstreme, në gjithë botën ndodhin dhjetëra mijëra raste çdo vit. Shumica ndjehen si goditje të lehta, por në raste të rënda mund të shkaktojnë dëmtime strukturore në avion, humbje të përkohshme kontrolli dhe të lënduar. Vetëm në SHBA, nga viti 2009 deri më 2024, janë regjistruar mbi 200 lëndime serioze për shkak të turbulencave, sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit.

Lajmi i mirë është se vdekjet janë të rralla dhe vendosja e rripit të sigurimit pothuajse gjithmonë mbron nga lëndimet. Lajmi i keq: turbulencat po shtohen, sidomos në rrugët më të frekuentuara ajrore, dhe gjendja parashikohet të përkeqësohet me ngrohjen globale.

Rrugët më të trazuara në qiell

Faqja e specializuar në parashikimin e turbulencave, Turbli, ka analizuar mbi 10 mijë itinerare fluturimi, duke përdorur të dhëna nga NOAA dhe Met Office britanike, për të renditur linjat ajrore më të turbulluara në botë.

Qëllimi, sipas themeluesit të saj Ignacio Gallego Marcos, është t’u tregojë njerëzve se, megjithëse turbulencat duken kaotike, ato ndjekin modele të caktuara.

Rruga ajrore 120 milje midis qyteteve Mendoza (Argjentinë) dhe Santiago (Kili), që kalon përmbi Andet madhështore, është më e rrezikshmja në botë për sa i përket turbulencave. Shumica e 10 rrugëve më të turbulluara në botë përfshijnë zona malore si Andet dhe Himalajet.

Në SHBA, itineraret më të paqëndrueshme janë ato që kalojnë përmbi malet Rocky, sidomos fluturimet nga dhe për në Denver dhe Salt Lake City. Në Evropë, shumë prej linjave më të turbulluara kalojnë përmbi Alpet, kryesisht midis Francës, Italisë dhe Zvicrës.

Pilotët janë të vetëdijshëm për rrezikun dhe janë të kujdesshëm në fluturimet mbi male, por turbulencat e shkaktuara prej tyre nuk janë gjithmonë të parashikueshme, sepse shpesh ndikohen nga veçori shumë të vogla të relievit, që nuk kapen lehtësisht nga parashikimet.

Rreziku i padukshëm: turbulencat në ajër të kthjellët

Një tjetër lloj turbulence, më i rrezikshëm sepse nuk ka asnjë shenjë vizuale, është ajo që ndodh në ajër të kthjellët zakonisht pranë rrjedhave të forta të ajrit të quajtura jet stream. Ajo shkaktohet nga ndryshime të shpejta në shpejtësinë ose drejtimin e erës me lartësi.

Ky lloj turbulence është veçanërisht i vështirë për t’u zbuluar dhe parashikuar, thotë Piers Buchanan nga Met Office. Një nga rrugët më të turbulluara në Azi është ajo midis qyteteve japoneze Natori dhe Tokoname, pikërisht për shkak të një jet stream shumë të fortë që kalon mbi Japoni i njohur që nga Lufta e Dytë Botërore, kur bombat amerikane devijonin nga era.

E njëjta dukuri ndodh edhe në bregun lindor të SHBA, ku ajri i ngrohtë nga Gulf Stream takon ajrin e ftohtë nga Kanadaja, duke krijuar rrjedha shumë të forta ajri mbi Atlantikun e Veriut.

Klima po e përkeqëson situatën

Ndryshimet klimatike po i përkeqësojnë turbulencat. Sipas një studimi të vitit 2023, rastet e turbulencave të forta në ajër të kthjellët mbi Atlantikun e Veriut janë rritur me 55% që nga viti 1979. Rritje prej 41% është vërejtur edhe mbi territorin e SHBA.

Sipas parashikimeve, deri në fund të shekullit, rastet e turbulencave të forta që mund të shkaktojnë lëndime mund të dyfishohen ose trefishohen në shkallë globale.

Stuhitë dhe retë kumulative janë gjithashtu burime të forta turbulencash, sidomos pranë ekuatorit. Ato krijojnë lëvizje të fuqishme vertikale të ajrit dhe janë shumë të papritura. Edhe pse pilotët i shmangin ato përmes radarëve dhe teknologjive të avancuara, parashikimet nuk janë gjithmonë të sakta. Kur formohen disa stuhi njëkohësisht, avionët mund të mbeten të bllokuar mes reve të dendura çfarë mendohet se ndodhi me fluturimin Londër–Singapor vitin e kaluar mbi Myanmar.

Shkencëtarët po hetojnë gjithashtu nëse një atmosferë më e ngrohtë, që mban më shumë lagështi, po nxit formimin e stuhive më intensive.

Siguria dhe teknologjia në zhvillim

Ekspertët theksojnë se fluturimi mbetet forma më e sigurt e transportit. Aeroplanët janë ndërtuar për të përballuar edhe turbulencat më ekstreme dhe vendosja e rripit të sigurimit është mbrojtja më e mirë për pasagjerët.

Sakaq, parashikimet janë duke u përmirësuar. Rreth 75% e rasteve të turbulencave tashmë mund të parashikohen saktë, thotë Joana Medeiros, kërkuese në Universitetin e Reading.

Por me ngrohjen globale dhe rritjen e trafikut ajror, rrugët më të ngarkuara në botë duket se do të bëhen shumë më të trazuara në vitet në vijim. /AutoPortali

TË FUNDIT