E bekuar nga natyra, vendndodhja, historia, por edhe njerëzit mikpritës e punëtorë, Kruja është tashmë destinacion gjithëvjetor për turistë nga e gjithë bota.
Një udhëtim i shkurtër në një rrugë panoramike, rrugicat ku gjen produkte të ndryshme artizanale, ku ofrohen gatime tradicionale plot aroma, e bëjnë Krujën “joshje” që i rikthen vizitorët gjithmonë. Dhe jo vetëm ata vendas, që shijojnë një ditë ndryshe në qytetin me plot histori, por edhe të huajt shprehen se do të riktheheshin me kënaqësi në Krujë.
Fortesa e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është shndërruar në një qytet modern me lagje të reja, pallate shumëkatëshe, rrugë të rregulluara dhe shërbime të ndryshme.
Vetëm pak kilometra larg Tiranës, ky qytet historik ofron një ndërthurje mes kulturës, historisë dhe traditës, duke “zgjuar” vëmendjen e turistëve, të të gjitha grupmoshave, për ta vizituar.
Secili nga turistët me të cilët folëm, në përshtypjet e tyre veçojnë panoramat e mrekullueshme, por edhe kureshtjen që ngjallin historitë e betejave, kalaja dhe muzeu i Skënderbeut.
Këtë fillimpranvere Kruja duhet shijuar vërtet. Dielli dhe qielli i pastër e shtojnë bukurinë e panoramave, ndërsa turistë nga e gjithë bota plot kureshtje vizitojnë çdo atraksion të qytetit, nga Kalaja, te Pazari i Vjetër apo Muzeu Etnografik.
Një grup turistësh spanjollë, të shoqëruar nga një ciceron që shpjegonte çdo dimension të historisë së Krujës, iu bashkua një tjetër grupi të huajsh që kishin ardhur nga Amerika për të parë Kalanë, muzetë dhe Pazarin e Vjetër. Mes pyetjesh dhe fotografish të shumta, ata “dokumentonin” copëza historie shqiptare, që nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, tek artefaktet; që nga punimet tradicionale të grave në vegjë në Pazarin e Vjetër të qytetit, tek objektet e rralla të zejeve artizanale.
Drejtori i Muzeut, Mehdi Hafizi u shpreh në një intervistë për ATSh-në, se flukse të tilla turistësh janë të përditshme, ndërsa shifrat pritet që të kulmojnë edhe më shumë në muajt pasues, sidomos gjatë sezonit të pranverës dhe atij të vjeshtës.
“Gjatë këtij tremujori të parë vitit 2026, Kruja ka mirëpritur mbi 16 mijë vizitorë. Megjithëse këta janë muajt e parë të vitit, ku numrat janë natyrshëm më të ulët se në vijim, trendi është mjaft premtues. Pritshmëritë janë që nga muaji maj e deri në fund të vitit, numri i vizitorëve të marrë përmasa të mëdha, sepse Kruja mbetet një destinacion i vizitueshëm gjatë gjithë vitit”, tha Hafizi.
Disa nga faktorët që ndikojnë në këto shifra të larta të turizmit në Krujë, sipas Hafizit janë edhe pozicionimi strategjik i qytetit, afërsia me Tiranën, me aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, afërsia me portin e Durrësit dhe qytetet e tjera bregdetare etj.
“Kemi disa lloje turizmi që e diversifikon edhe më shumë larminë e vizitorëve tanë. Ne kemi turizëm shkollor, që funksionon shumë mirë. Nxënës nga shkolla të niveleve të ndryshme, si brenda territorit dhe jashtë, zhvillojnë vizita gjithë kohës. Por, veçantia është që kanë nisur të vijnë në Krujë edhe grupe nxënësish përtej kufijve shqiptarë dhe ky është një tregues shumë i mirë”, vijoi ai.
Në nivel krahasues me vitin e kaluar, Hafizi tha se viti 2025 u mbyll me shifra rekord, prej 212 mijë vizitorësh, ndërsa krahasimisht me vitet e kaluara, shifrat janë 3-4 herë më të larta. Hafizi veçoi muajin shtator të vitit të kaluar, që shënjoi kulmin e numrit të vizitorëve, prej 32 mijë personash vetëm në atë muaj.
“Pritshmëritë për vitin 2026 janë shumë të larta. Vizitorët këtu shijojnë gjithçka dhe largohen me përshtypjet më të mira, ndërsa gjeografia e origjinës së tyre është zgjeruar shumë. Ka shumë turistë polakë, italianë, francezë, amerikanë etj.”, tha Hafizi.
Në Muzeun e Krujës u takuam me një familje turistësh nga Hungaria. Marck Arady tha për ATSh-së, se prej katër ditësh ndodhej në Shqipëri për të vizituar qytete të ndryshme. Ai tha se pas një dite plazhi në Durrës, kishte zgjedhur bashkë me familjen që të vizitonin Krujën.
“Po na pëlqen shumë ky qytet. Vizituam Muzeun e Krujës dhe tani po shohim çdo dyqan këtu në Pazarin e Vjetër. Njerëzit duken shumë të qetë dhe mikpritës. Natyra shumë e bukur, historia e këtij qyteti kaq e rrallë. Do të rikthehemi sërish këtu”, tha ai.
Joanna Allen, një tjetër turiste, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se i është bashkuar një grupi të madh turistësh që kishin ardhur nga ShBA për të vizituar qytetin e Krujës dhe qytete të tjera historike në Shqipëri.
“Jam e impresionuar nga historia dhe kultura e këtij qyteti. Shqiptarët janë qytetarë kaq të sjellshëm dhe mikpritës, ndërsa ushqimi është thjesht fantastik”, pohoi ajo.
Vizita mbyllet me çlodhjet në lokalet e zonës, ku vizitorët shijojnë ushqimet tradicionale shqiptare, që nga mishi i pjekur në hell që shihej plot kureshtje nga të huajt për mënyrën e përgatitjes, te prodhimet e brumit dhe ëmbëlsirat.
Kruja vazhdon kështu traditën e një destinacioni të pazëvendësueshëm për ata që kërkojnë të njohin historinë dhe kulturën shqiptare, duke u kthyer në një pikë kyçe të turizmit vendas.




