Turizmi 2030, Shqipëria synon të ardhura prej 6.7 miliardë euro
T

Turizmi 2030, Shqipëria synon të ardhura prej 6.7 miliardë euro

Strategjia e re e Turizmit 2025–2030 e konsideron si prioritet vlerësimin e nevojave dhe investimin në infrastrukturën turistike, me qëllim përmirësimin e cilësisë së destinacioneve, zgjatjen e sezonit turistik dhe nxitjen e zhvillimit të produkteve të reja turistike në të gjithë territorin.

Sipas dokumentit, duke qenë një destinacion turistik në zhvillim, Shqipërisë i mungojnë lloje të ndryshme të infrastrukturës turistike për të mbështetur përmirësimin e zinxhirit të vlerës së disa produkteve të ndryshme turistike.

Për këtë aryse një nga masat e propozuara në dokumentin e sapomiratuar është vlerësimi i investimeve të infrastrukturën turistike, me fokus identifikimin e elementeve që mungojnë dhe prioritizimin e nevojave për investime.

Sipas strategjisë, sigurimi i infrastrukturës publike turistike është detyrë kryesore e sektorit publik në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, shkruan Scan.tv, transmeton AutoPortali.

Ndërkohë që, në mënyrë që ky program të gjenerojë dhe ndërlidhja sektoriale e investimeve të ketë sukses, nevojitet burime të konsiderueshme financiare, mbështetje dhe përpjekje të koordinuara midis grupeve të ndryshme të interesit, duke përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Strategjia e Zhvillimit të Turizmit 2025–2030 vendos objektiva ambiciozë për transformimin e sektorit në një shtyllë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ndërsa parashikon që të ardhurat nga turizmi të arrijnë në 6.7 mld euro deri në fund të dekadës, nga 4.16 mld euro që ishin në vitin 2023. /AutoPortali

TË FUNDIT