Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me kushtet dhe rregullat e hyrjes pa vizë në zonën Shengen.
Shtetasit e Kosovës që dëshirojnë të hyjnë në zonën Shengen pa vizë duhet të kenë në posedim pasaportë biometrike të vlefshme, e cila duhet të jetë e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së daljes nga kjo zonë. Dokumentet jo-biometrike nuk pranohet për udhëtime pa vizë.
Sa i përket kohëzgjatjes, qëndrimi i lejuar pa vizë është maksimumi 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Kjo do të thotë se pas qëndrimit 90-ditor në zonën Shengen, qytetari duhet të presë edhe 90 ditë jashtë zonës para se të kthehet sërish, transmeton AutoPortali.
Qëllimet e lejuara për udhëtim pa vizë përfshijnë turizmin, biznesin, vizitat familjare, si dhe pjesëmarrjen në konferenca, trajnime afatshkurtra, seminare dhe panaire.
Në anën tjetër, udhëtimet për punësim, studime afatgjata ose qëndrime të përhershme nuk lejohet të kryhen pa vizë. Për këto raste, qytetarët duhet të aplikojnë për vizë nacionale (viza tip D) në ambasadën përkatëse.
Në pikën kufitare, edhe pse nuk kërkohet vizë, zyrtarët mund të kërkojnë dokumente shtesë si dëshmi qëllimi, përfshirë biletën kthyese, rezervimin e hotelit ose ftesën nga personi që vizitohet, dëshmi financiare (cash, karta bankare, vërtetim page) dhe sigurim shëndetësor udhëtimi, i cili rekomandohet fuqishëm.
Lidhur me destinacionet, udhëtimi pa vizë vlen për të gjitha 27 shtetet e zonës Shengen, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Zvicrën, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Suedinë, Austrinë, si dhe Islandën, Norvegjinë dhe Lihtenshtajnin – vende që nuk janë pjesë e BE-së, por bëjnë pjesë në Shengen.
Në anën tjetër, udhëtimi pa vizë nuk vlen për Irlandën dhe Britaninë e Madhe, të cilat nuk janë pjesë e zonës Shengen.
Ky njoftim është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët që planifikojnë udhëtime drejt Evropës, duke siguruar përmbushjen e kushteve dhe shmangien e problemeve në kufi. /AutoPortali




