Pasnesër fillon i Kampionatit Evropian, Gjermani 2024, dhe tashmë kanë nisur llogaritë e grupeve përkatëse.
Shqipëria ndodhet në Grupin B ose thënë ndryshe në “Grupin e Ferrit” së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Mediet italiane kanë përgjedhur “yllin” e secilës prej katër kombëtareve në fjalë në prag të nisjes së EURO2024.

“Ylli i Shqipërisë
Lojtari më i rëndësishëm për Shqipërinë, sipas medieve italiane është sulmuesi Armando Broja. Pavarësisht se nuk kaloi një sezon të mirë mes Chelseas dhe Fulhamit në Premier League, trajneri Sylvinho e mori Brojën në Evropian për të arritur sukses në një grup ku Shqipëria konsiderohet si “Hirushja”. Ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për të qenë në qendër të projektit të Shqipërisë dhe Sylvinhos. Madje në Itali ai është duke u ndjekur me shumë interes nga Milan dhe ndoshta e ardhmja e sulmuesit shqiptar mund të jetë në Serie A, me “kuqezinjtë”.

Ylli i Italisë
Lojtari më i mirë i Italisë konsiderohet portieri Gianluigi Donnarumma, i cili prej vitesh është një nga portierët më të mirë në botë dhe vjen në EURO2024 nga një sezon i shkëlqyer në Francë me fanellën e Paris Saint-Germain. 25 vjeç, ai tashmë ka bërë më shumë se 60 paraqitje për Kombëtaren dhe do të shfaqet në Gjermani me shiritin e kapitenit në krah.

Ylli i Spanjës
Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri do të drejtojë Spanjën në një Kampionat Evropian që e sheh “Furinë e Kuqe” shumë në formë. Ai është ndër liderët e Cityt të Guardiolës dhe ka fituar gjithçka me skuadrën angleze në vitet e fundit. Ndër sukseset e tij të shumta, një Champions League e fituar si protagonist. Një vit më parë ishte ai që shënoi golin e fitores ndaj Inter-it në finale.

Ylli i Kroacisë
Shumë menduan se ai do të tërhiqej nga Kombëtarja pas Botërorit Katar 2022, ku Krocia u rendit në vend të tretë, por në vend të kësaj, Luka Modric, futbollisti më i mirë në historinë e futbollit kroat, është ende në qendër të projektit të skuadrës së vendit të tij. 174 paraqitje për ekipin e tij kombëtar, gjashtë fitore në Champions League me Real Madrid, karriera e tij është histori më vete.



