Spanjolli Xabi Alonso është trajneri i momentit, pasi po shkqëlqen me Bayer Leverkusenin, skuadër me të cilën kryeson bindshëm në Bundesligë, me plot 10 pikë më tepër se përcjellësi më i afërt, Bayern Munich.
Kjo është arsyeja që tri klube të mëdha janë duke u interesuar për shërbimet e tij.
Bayern Munich, Liverpool dhe Barcelona kanë njoftuar se do të ndryshojnë trajner në fund të sezonit dhe të tre kanë si objektiv primar pikërisht spanjollin e Leverkusenit, megjithatë media gjermane zbulon një detaj që mund të komplikojë jo pak situatën.
Bëhet fjalë për klauzolën në kontratën që lidh Xabi Alonson me Bayer Leverkusenin deri në 2026-ën dhe që sipas medias, duhen plot 23 milionë euro për të ndërprerë bashkëpunimin përpara kohe.
Natyrisht asnjë nga klubet e mësipërme nuk është gati të paguajë kaq shumë për një trajner, pasi kësaj shifre i shtohet edhe një pagë e majme që pritet të kërkojë 42-vjeçari spanjoll, i cili me gjasë do të vijë me statusin e trajnerit kampion të Bundesligës.
Gjithsesi gjasat janë që në rast suksesi në kampionat, drejtuesit e “Aspirinave” të ulin ndjeshëm pretendimet dhe të lejojnë Xabi Alonson të largohet kundrejt një shifre simbolike prej 5-10 milionë eurosh.
Skuadra favorite për të marrë Alonson duket pikërisht Bayern, megjithatë vetë spanjolli preferon edhe një transferim te Liverpooli, ku ka fituar edhe një Ligë Kampionësh si futbollist disa vite më parë.