Zjarre të furishme përfshijnë Bullgarinë, digjen pyje dhe shtëpi
Z

Zjarre të furishme përfshijnë Bullgarinë, digjen pyje dhe shtëpi

Zjarrfikësit janë përballur me zjarre në afro 100 vende të ndryshme në Bullgari të dielën, ndërsa disa shtëpi janë djegur dhe banorë janë evakuuar, raportojnë mediat lokale.

Një zjarr në malin Pirin, në jugperëndim të Bullgarisë, është përhapur në mijëra hektarë pyje, sipas Radios Kombëtare Bullgare (BNR), shkruan Reuters.

Një tjetër zjarr në qytetin Simitli ka shkatërruar disa shtëpi ndërsa është përhapur drejt malit Maleshevo, transmeton AutoPortali.

Më shumë se 200 zjarrfikës që ishin dërguar në këtë zonë të shtunën janë tërhequr, pasi erërat e forta po rrezikonin jetën e tyre, thanë autoritetet, duke shtuar se po presin ndihmë ajrore nga vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Në Bullgarinë perëndimore, një zjarr që shpërtheu të shtunën dhe që u përhap shpejt të dielën në territorin e Serbisë, përgjatë vargut malor Miloslavska, thuajse e ka djegur tërësisht fshatin Rani Lug, raportoi televizioni Nova.

“Është një tragjedi pa mëshirë,” tha Zvezdelin Vlaykov, një vullnetar emergjencash, ndërsa re të mëdha tymi ngriheshin mbi kodra. “Në të gjitha këto vite që merrem me zjarret, nuk kam parë kurrë diçka të tillë.”

Autoritetet thanë se tre fshatra janë evakuuar dhe se zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Brendshme e përshkroi situatën me zjarret në Bullgari si “dinamike dhe të rëndë”.

Të dielën pasdite, një zjarr i madh shpërtheu në fshatin Kozarevo, në provincën juglindore të Yambol-it, duke djegur disa shtëpi, raportoi BNR.

Vendet e Evropës Juglindore kanë përjetuar temperatura rekord gjatë javës së kaluar, duke e bërë këtë rajon një “pikë të nxehtë të zjarreve”, siç e kanë cilësuar shkencëtarët./AutoPortali

TË FUNDIT