Zogaj i Shkodrës – traditë dhe mikpritje
Z

Zogaj i Shkodrës – traditë dhe mikpritje

Fshati Zogaj, 3-4 kilometra përtej Shirokës në Shkodër, është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër, por edhe për punën në tezgjah, ku artizanët nuk e kanë harruar traditën duke punuar çdo gjë me dorë.

Ky fshat në veriperëndim të vendit, prezanton identitetin, traditën, ngjyrat dhe përvojën e jashtëzakonshme të Shqipërisë rurale, si për vendasit, por edhe për turistët e huaj, transmeton ATSH, përcjell AutoPortali.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Zogaj, duke cilësuar se këto janë “fragmente nga një Shqipëri që punon me përkushtim, mikpret me traditë dhe zhvillohet në harmoni mes bukurive natyrore, trashëgimisë dhe vizionit për të ardhmen europiane”.

Në këto pamje shfaqen grupe njerëzish të të gjitha grupmoshave që shijojnë bukuritë natyrore të këtij fshati, aktivitetet ujore, ushqimet tradicionale, gra që krijojnë art në tezgjah, momente peshkimi etj.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuarat nga turistët.

TË FUNDIT