Real Madridi ka konfirmuar transferimin e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit argjentinas, Franco Mastantuono.
Klubi madrilen njoftoi se ka arritur marrëveshje me River Plate për ta sjellë 17-vjeçarin në “Santiago Bernabéu” duke nisur nga data 14 gusht 2025. Kontrata e tij do të zgjasë deri më 30 qershor 2031, përkatësisht për gjashtë sezone, transmeton AutoPortali.
Mastantuono është konsideruar si një nga talentet më të ndritur të brezit të ri në Argjentinë, dhe transferimi i tij te “Los Blancos” është parë si një hap strategjik për të ardhmen e klubit.
Ai u rrit në akademinë e River Plate që nga viti 2019 dhe arriti të debutojë me ekipin e parë në sezonin 2024-25, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.
Në shkurt të vitit 2024, Mastantuono hyri në historinë e Riverit duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e klubit.
Performancat e tij të shpejta dhe vendimtare ndihmuan ekipin të fitonte edhe Superkupën e Argjentinës, duke i shtuar edhe më shumë vlerë profilit të tij si futbollist në ngritje.
Por suksesi i tij nuk është kufizuar vetëm në nivel klubi. Me fanellën e kombëtares argjentinase, Mastantuono është bërë lojtari më i ri që ka luajtur në një ndeshje zyrtare për ekipin kombëtar, një arritje që dëshmon pjekurinë dhe talentin e jashtëzakonshëm për moshën që ka.
Real Madridi vazhdon të investojë në të ardhmen, dhe afrimi i Mastantuono konfirmon filozofinë e klubit për të identifikuar dhe zhvilluar yjet e së nesërmes që në moshë të re. Tifozët madrilenë tashmë mezi presin ta shohin këtë talent të ri në aksion në “Bernabéu”.