Futbolli kosovar, çdo vit është në rritje e sipër, kurse pjesëmarrja në garat e mëdha evropiane të UEFA-s, është gjithnjë e më mirë.
Sivjet, Kosova do të përfaqësohet nga katër klube në arenën ndërkombëtare.
Fituesi i Kupës së Kosovës (FC Prishtina), kampioni i Superligës së Kosovës (FC Drita), si dhe dy skuadrat e renditura në pozitat 2 dhe 3, (FC Ballkani dhe FC Malisheva), do të jenë skuadrat që do të luajnë në Champions League, Europa League dhe Conference League.
AutoPortali ka kontaktuar me drejtorët sportiv të klubeve, para fillimit të përgatitjeve të tyre për pjesëmarrjen në këto gara.
FC Drita: Pritshmeritë janë të larta
Skuadra nga Gjilani, FC Drita, do të luajë në raundin e parë të Champions League, ku shorti i hedhur më 17 qershor, e vuri përballë me kampionin e Luksemburgut, FC Differdange 03, ku ndeshja e parë do të zhvillohet më 8 korrik në Kosovë.
Drejtori sportiv i FC Dritës, Valon Zymberi ka thënë për AutoPortali-n se pritshmeritë e tyre janë të larta.
“Pritshmeritë janë të larta, pa diskutim që garat evropiane kanë qenë synimi ynë dhe shpresojmë të bëjmë ngritje progresive nga viti në vit. Për fatin tonë, kundërshtarët gjithmonë i kemi pasur të vështirë dhe nuk ka qenë e mundur një gjë e tillë, pra nuk e kemi arritur atë që e kemi pritur. Edhe këtë vit qëllimi ynë kryesor dhe ajo që kemi luftuar ndër vite është që të futemi në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian”, ka thënë Zymberi për AutoPortali.com.
Zymberi poashtu bëri të ditur se FC Drita tanimë ka filluar fazën përgatitore, ndërsa një pjesë e kësaj faze do të zhvillohet jashtë shtetit të Kosovës, derisa atmosfera në klub është e jashtëzakonshme.
“Përgatitjet po shkojnë mjaft mirë, fazën e parë e kemi filluar në Gjilan, ndërsa tani gjendemi në Bansko të Bullgarisë, ku do ta zhvillojmë pjesën e dytë përgatitore. Gjatë qëndrimit tonë këtu do të zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore . Ajo çka është kryesorja për ne, është që nuk kemi pasur shqetësime me ndonjë lëndimi tek lojtarët gjë që na ka bërë shumë të lumtur dhe ka bërë që vijueshmëria e fazës përgatitore të vazhdojë në mënyrën ma të mirë të mundshme. Që nga dita e parë, atmosfera është e jashtëzakonshme, sigurisht edhe këto afrimet e reja, janë pritur mjaft mirë dhe janë integruar bukur mirë në skuadër, jemi duke i pritur me entuziazëm këto ndeshje”.
Zymberi gjithashtu ka vlerësuar lart kundërshtarin e “Intelektualëve”, duke e cilësuar se nuk ka kundërshtar të lehtë në garat evropiane.
”Sa i përket kundërshtarit, mendoj që në këtë nivel garash, nuk ka kundërshtar të lehtë. pasiqë do të përballemi me kampionë të ndryshëm dhe skuadra të mëdha, mirëpo entuziazmi, motivi dhe besimi i grupit është i madh që mund t’ia dalim”.
“Ne si gjithmonë para përfundimit të kampionatit, i pikëtojmë ato pikat që mund të përforcohemi apo të sjellim konkurrencë. sigurisht një gjë e tillë ka ndodhur edhe tani, andaj jemi munduar t’i ofrojmë disa emra për të shtuar konkurrencën në ekip. Jemi duke punuar vazhdimisht në ketë drejtim dhe jemi në fazën përfundimtare të afrimit të disa të lojtarëve në mënyrë që të kompletohet grupi të cilën e kemi paraparë”, është shprehur drejtori sportiv i skuadrës gjilnase.
FC Prishtina: Përgatitjet janë duke shkuar mirë, shpresojmë për paraqitje të mira në garat evropiane
Ndryshe nga Drita që është kampion i Superligës, FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës, nuk ishte me shumë fat në shortin e hedhur në raundin e parë kualifikues në Europa League.
Klubi i kryeqytetit do të përballet me skuadrën e madhe Sheriff Tiraspol, kurse nëse eliminohet nga skuadra e Moldavisë do të vazhdojë në Conference League, ku kundërshtarë do të kenë fituesin e duelit Larne-Auda.
Megjithatë, pa marrë parasysh kundërshtarin, trajneri Arsim Thaçi, është shprehur optimist për ndeshjen që do të zhvillohet më 10 korrik.
“Në garat evropiane kuptohet që nuk ka ekipe të lehta. Ne do të provojmë me të ‘nxjerrim’ maksimumin në këto gara edhe sa më lart që shkojmë, kuptohet që është interes për klubin dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi”, është shprehur timonieri i bardhekaltërve.
Thaçi gjithashtu tha për AutoPortalin, se përgatitjet janë duke shkuar në mënyrën më të mirë, kurse bëri të ditur se skuadra e kryeqytetit ende nuk ka mbyllur merkaton, ndërsa ditët në vijim pritet të zyrtarizohen edhe disa përforcime tek skuadra.
“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë, kushtet janë shumë të mira, do te zhvillojmë disa ndeshje miqësorë si test për të kontrolluar ekipin se si është stërvitur dhe kuptohet edhe me përgatit për ndeshjen e parë kundër Sheriff Tiraspolit. Transferet nuk kanë përfunduar ende, edhe pse kemi marrë disa lojtarë, mirëpo deri në përfundim të afati kalimtar besoj se do të kemi edhe ndonjë prurje cilësore për ta rritur cilësinë e grupit”.
“Synimi jonë është të ta shkruajmë një faqe tjetër të historisë” – Ballkani i gatshëm për Conference League
Skuadra nga Suhareka, e cila tanimë ka një përvojë bukur të mirë në garat evropiane, përseri synon të shkruajë një tjetër faqe të historisë.
FC Ballkani do ta presë fituesin e ndeshjes Floriana FC – Haverfordëest Country AFC, ndërsa sipas zyrtarit të klubit, Jetullah Kuqi, pritjet janë të mëdha.
“Pritshmëritë tona janë të jemi sa më konkurrues në çdo ndeshje, të kalojmë sa më shumë raunde dhe të përfitojmë nga përvoja që e kemi nga pjesëmarrjet e mëparshme. Qëllimi është të tregojmë lojë cilësore, të mbështetur në disiplinë e përkushtim dhe natyrisht të synojmë kualifikimin më tej”.
Kuqi gjithashtu bëri të ditur se atmosfera tek skuadra suharekase është shumë e mirë, ndërsa kundërshtarin e tyre e vlerësojnë maksimalisht, mirëpo në çdo ndeshje do hyjnë për fitore.
“Atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive. Lojtarët janë të motivuar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Ka një energji të mirë në skuadër dhe ndjehet dëshirë e madhe për të arritur sukses. Sa i përket kundërshtarit, e vlerësojmë maksimalisht çdo skuadër që përballet me ne. Do ta analizojmë me kujdes, por besojmë në potencialin tonë dhe do të hyjmë në fushë me respekt, por edhe me bindje në forcat tona”.
“Kundërshtar jo i lehtë, do ta kalojmë raundin e parë”- Malisheva i merr me shumë optimizëm garat evropiane
FC Malisheva e cila e përfundoi sezonin në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës, do të garojë në Conference League. Kjo nuk është hera e parë e skuadrës së Malishevës që merr pjesë në gara ndërkombëtare.
Drejtori Sportiv i Malishevës, Sami Boroci, tha për AutoPortali-n, se kanë respekt për kundërshtarët, mirëpo synimi i tyre mbetet fitorja.
“Ne jemi optimistë dhe besojmë se do ta kalojmë fillimisht raundin e parë, aty ku edhe e kemi fokusin e plotë. Kundërshtari nuk është i lehtë, pasi ka një skuadër cilësore, ka ecuri të mirë dhe eksperiencë, por ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të kaluar ketë raund dhe për të ecur edhe më tutje. Grupi cilësor që kemi, na bën shumë optimistë për ecuri pozitive”.
Boroci gjithashtu tha se skuadra e Malishevës ka cilësi, ndërsa janë fokusuar në përmasimin e disa reparteve.
“Malisheva ka një grup shumë cilësor, por kemi sjellë edhe disa përforcime, ndërsa po punojmë të finalizojmë edhe disa tjera, aty ku e kemi parë të nevojshme”.
Ky sezon nuk është i pari që skuadrat kosovare marrin pjesë, vitin e kaluar, FC Ballkani kishte filluar garat evropiane nga raundi kualifikues së Champions League, ku më pas vazhdoi në Conference League, ku në dy edicione arriti deri në fazën e grupeve.
Pjesë në këto gara ishte edhe KF Llapi që u eliminua në fazën kualifikuese. Edhe Drita ishte pjesëmarrëse ku arriti deri në raundin e dytë, gjithashtu edhe SC Gjilani të cilët u eliminuan që në raundin e parë kualifikues. /AutoPortali/ Kasim Gerbeshi




