Real Madridi ka vendosur të mos e ndjekë më pistën për transferimin e mesfushorit të Stuttgartit, Angelo Stiller. Pavarësisht raportimeve që e lidhnin me “Los Blancos” si pasues i Modric dhe Kroos, bordi madrilen ka ndërprerë çdo kontakt.
Mesfusha e Realit mbetet ende në proces rindërtimi. Investimet te Bellingham, Camavinga dhe Tchouameni nuk kanë sjellë ende balancën e dikurshme. Bellingham ka spikatur më shumë në fazën ofensive, ndërsa dyshja franceze nuk ka arritur të imitojë kontrollin e lojës që ofronin Kroos e Modric.
As ardhja e Xabi Alonsos në pankinë nuk ka ndryshuar gjendjen. Përpjekjet për Martin Zubimendin dështuan pas ndërhyrjes së Arsenalit, ndërsa emra si Enzo Fernandez, Rodri apo Mac Allister mbeten jashtë mundësive financiare të klubit për këtë verë.
Reali po përballet me një verë të kujdesshme në merkato, ndërkohë që dilema mbi përforcimin e mesfushës vazhdon. Pa një pasardhës të qartë për legjendat e dekadës së fundit, sezoni i ardhshëm mund të nisë me pikëpyetje serioze për strukturën e skuadrës.




