Durdle Door, plazhi britanik që po mahnit botën
D

Durdle Door, plazhi britanik që po mahnit botën

Një nga plazhet më ikonike në botë është përfolur së fundmi nëpër media dhe ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar.

Durdle Door në qarkun e Anglisë Jugore, në Dorset është përfshirë nga National Geographic në listën e plazheve që duhet patjetër të vizitohen, së bashku me bregdetet e Australisë dhe Seychelles, transmeton AutoPortali.

Ky plazh e ka marrë emrin nga formacioni unik shkëmbor që e karakterizon.

National Geographic e ka përshkruar Durdle Door si një plazh “që ia vlen të udhëtosh për të”, falë bregdetit të tij të jashtëzakonshëm dhe formacioneve shkëmbore të veçanta.

Sipas The Sun, plazhi ndodhet në bregun Jurassic dhe është i njohur për harkun natyror të krijuar nga gëlqerori. Ky hark i famshëm Durdle Door është formuar gjatë miliona viteve nga erozioni i shkaktuar nga valët e detit.

Durdle Door është një destinacion shumë i popullarizuar, ku rreth 500,000 vizitorë vizitojnë bregun për të admiruar këtë peizazh mahnitës çdo vit.

Edhe pse është plazhi i vetëm britanik në këtë listë, Durdle Door shpesh krahasohet me plazhe jashtë vendit, sidomos gjatë verës.

Në vitet e fundit, vizitorët kanë lënë komente të entuziazmuara në Tripadvisor, duke e krahasuar këtë vend me plazhet e Portugalisë apo Kalifornisë.Një vizitor shkroi: “Lulworth Cove dhe Durdle Door më kujtuan Algarve-n në Portugali!”

Një tjetër shtoi: “Nuk të duket sikur je në Britaninë e Madhe. Më shumë si Portugali apo Kaliforni.”

Durdle Door është një plazh kaq i famshëm saqë është përdorur edhe si vendfilmim për seriale televizive. Në vitet e fundit, shfaqje si Doctor Who dhe Far From the Madding Crowd janë xhiruar në këtë plazh.

Sezoni i dytë i serialit The Sandman me Jenna Coleman gjithashtu u filmua në këtë destinacion turistik.

Edhe Hollivudi ka zgjedhur Durdle Door si sfond, përfshirë filmin Pirates of the Caribbean.

Ky është një nga gjashtë plazhet më të pastra në Mbretërinë e Bashkuar ku mund të notoni në mënyrë të sigurt këtë verë, ndërsa lista përfshin edhe destinacione të tjera të njohura botërore si Tajlanda dhe Bahamas.

Durdle Door është përshkruar si një plazh “që ia vlen të udhëtosh për të”. /AutoPortali

TË FUNDIT