Drejtuesit e Formula 1 kanë nënshkruar një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me pistën Circuit de Barcelona-Catalunya, e cila mbetet pjesë e kalendarit të Kampionatit Botëror të F1.
Barcelona do të alternohet me Belgjikën deri në vitin 2032. Ajo do të presë garat në vitet 2028, 2030 dhe 2032, ndërsa në pistën Circuit de Spa-Francorchamps garat do të zhvillohen në 2027, 2029 dhe 2031.
Këtë vit të dyja pistat do të jenë në kalendar: Barcelona më 14 qershor, ndërsa Spa-Francorchamps më 19 korrik.
Drejtori ekzekutiv i Circuits de Catalunya, Pol Gibert, tha se zgjatja e kontratës është rezultat i një bashkëpunimi të fortë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e rolit të Katalonjës në kalendarin ndërkombëtar. Sipas tij, Formula 1 gjeneron mbi 300 milionë euro ndikim ekonomik për garë dhe është një ngjarje strategjike që promovon rajonin në nivel global.
Marrëveshjen e komentoi edhe drejtori ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenicali, i cili tha se Barcelona është një qytet i jashtëzakonshëm dhe se F1 do të vazhdojë të garojë në këtë pistë edhe në vitet në vijim.
Gara e parë e këtij sezoni do të zhvillohet më 8 mars në Melburn.



