Labinot Xhoxhaj pas shpalljes Kampion i Evropës synon titullin botëror dhe përballjen me Usyk
L

Labinot Xhoxhaj pas shpalljes Kampion i Evropës synon titullin botëror dhe përballjen me Usyk

Boksieri nga Kosova por që jeton në Gjermani, Labinot Xhoxhaj ka shkruar histori duke u shpallur Kampion i Evropës në kategorinë WBC International, pas një fitoreje mbresëlënëse ndaj kundërshtarit të tij, Aliev. Kjo arritje e jashtëzakonshme u përmbyll me një konferencë për media të mbajtur në Vërmicë të Prizrenit, ku Xhoxhaj ndau emocionet dhe planet për të ardhmen.

“Dëshira ime është që një ditë të përballem me Usyk. Besoj në punën time dhe e di që me përkushtim mund të arrij deri te titulli botëror,” tha Xhoxhaj para gazetarëve dhe përkrahësve të shumtë, shkruan AutoPortali.

Në konferencë morën pjesë edhe menaxheri i tij, Toklir Xhoxhaj, si dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, të cilët vlerësuan suksesin dhe përkushtimin e boksierit.

Menaxheri Xhoxhaj bëri të ditur se janë në plan konkret organizimi i një meçi të madh në Kosovë gjatë vitit 2026, një ngjarje që pritet të jetë historike për sportin e boksit në rajon. Ai gjithashtu shtoi se oferta serioze tashmë kanë filluar të vijnë nga vende të ndryshme, me interes të veçantë nga Anglia dhe vendet e botës arabe.

Me këtë titull të rëndësishëm, Labinot Xhoxhaj po e forcon gjithnjë e më shumë pozitën e tij në skenën ndërkombëtare të boksit dhe është në rrugën drejt majave më të larta të sportit.

TË FUNDIT