Auto sporti kosovar, në të gjitha disiplinat, aktualisht është në pushim veror. Kështu do të jetë deri në fundjavën e parë të shtatorit, ndërsa më 6 e 7 shtator garuesit tanë u kthehen sfidave të reja.
Në kalendarin e garave kanë mbetur edhe nëntë gara në katër disiplina. Dy të parat mbahen më 6 e 7 shtator në sllallom me vetura elektrike dhe karting sllallom.
Shtatori do të jetë shumë i ngjeshur, pasi edhe në tri fundjavat në vazhdim do të kemi gara.
Më 13 e 14 shtator në radhë është gara e disiplinës malore në Zym, pastaj më 20 e 21 sërish sllallom me vetura elektrike dhe karting sllallom, ndërsa më 27 e 28 gara e radhës në disiplinën malore, “Molika 2025”.

Edhe tetori do të jetë i mbushur me gara. Më 5 tetor në program është auto sllallomi në Prizren, më 11 e 12 tetor Drag Race 3 në Sllatinë, më 19 e 20 tetor auto sllallomi në Sllatinë për t’u përmbyllur kampionati i sivjetmë më 25 e 26 tetor po në Sllatinë me sllallom me vetura elektrike dhe karting sllallom.
Pra, gushti do të jetë i qetë, në mënyrë që garuesit tanë t’i “mbushin bateritë” për pjesën e fundit të kampionatit me synimin për të inkasuar sa më shumë pikë.




