Drejtori i garës Drag Race 2, Ismet Rexhepi, është ndarë shumë i kënaqur me gjithçka që ndodhi gjatë dy ditëve të fundjavës së kaluar në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.
“Ishte garë shumë e mirë dhe për këtë i falënderoj të gjithë ata që kontribuan, duke filluar nga stafi që për dy ditë e dhanë maksimumin, e po ashtu edhe Policia e Kosovës, që na mbështet vazhdimisht. Për fat ata nuk patën punë, pasi sjelljet e garuesve, por edhe të shikuesve ishin shumë të mira dhe e gjithë kjo bëri që t’i kemi dy ditë të mrekullueshme”, ka thënë Rexhepi për Autoportali.com.
Ai i ka uruar të gjithë ata që arritën rezultate të mira, ndërsa fakti që gjithçka kaloi në mënyrën më të mirë është edhe një shtysë për të menduar që garat e ardhshme të jenë të nivelit edhe më të lartë.

“Ne, si komunitet i auto sportit, dëshmuam se jemi më mirë se gjendja e përgjithshme në vend, prandaj kjo që ndodhi për këto ditë na jep motiv për organizime edhe më të mëdha”, ka shtuar Rexhepi në prononcimin e tij pas garës.




