Nisur nga ky vit, Shqipëria do të pranojë të gjitha certifikatat elektronike preferenciale të mallrave, që do të lëshohen nga vendet anëtare të Pan-Euro-Mediteriane dhe angazhohet të lëshojë këto certifikata elektronikisht, ndërsa do të vijojnë të funksionojnë paralelisht edhe certifikatat që ekzistojnë aktualisht.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi dhe miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane (PEM) të 12 dhjetorit 2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”
Krijimi i një kuadri ligjor për kalimin në dokumentacionin elektronik të certifikatës së origjinës së mallrave, që tregtohen në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që Shqipëri ka në fuqi, synon të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare dhe të rrisë eksportet.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit, Blerta Rama, zv/ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha se, “projektligji ka lindur nga nevoja e vështirësive që solli pandemia COVID 2019, kur operatorët ekonomik kishin vështirësi me sigurimin e certifikatave të origjinës në letër, teksa ka për qëllim të përputhet me tregjet globale të digjitalizimit dhe operacionet doganore tregtare”.
“Në përputhje me ndryshimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Konventës Pan-Euro-Mediteriane, dy ose më shumë palë kontraktuese mund të bien dakord të krijojnë një sistem, që lejon që certifikatat e origjinës të lëshohen në mënyrë elektronike dhe/ose të paraqiten në mënyrë elektronike. Derisa të krijohet një sistem i tillë, palët kontraktuese do të pranojnë certifikatat e qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike kur paraqiten në import. Ky vendim synon të sigurojë një qasje të qëndrueshme për të gjitha palët kontraktuese të Konventës PEM në përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara elektronikisht, brenda zonës PEM”, tha Rama.
Ajo theksoi se, përdorimi i certifikatave të qarkullimit, të lëshuara në mënyrë elektronike, do të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave dhe përmirësimin e efikasitetit të zbatimit të rregullave të origjinës.



