Një raport i ri i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) zbulon se më shumë se 110 milionë njerëz në Evropë jetojnë nën ndikimin e ndotjes së dëmshme akustike, që shkakton rreth 66 mijë vdekje të parakohshme në vit.
Zhurma nga transporti renditet si një nga rreziqet kryesore për shëndetin publik, pas ndotjes së ajrit dhe rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike.
Sipas studimit, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës së trafikut ndikon drejtpërdrejt në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës, duke shkaktuar rreth 50 mijë raste të reja çdo vit, si dhe mbi 22 mijë raste të diabetit të tipit 2, transmeton AutoPortali.
Për më tepër, afërsisht 16.9 milionë evropianë përjetojnë bezdi të përhershme nga zhurma, ndërsa rreth 4.6 milionë vuajnë nga çrregullime të rënda të gjumit.
Raporti përmend gjithashtu lidhjen e ndotjes akustike me mijëra raste depresioni dhe demence, duke theksuar se rreth 15 milionë fëmijë jetojnë në zona ku niveli i zhurmës përbën një kërcënim më serioz se tymi i dorës së dytë.
Në aspektin ekonomik, dëmet që vijnë nga ndotja e zhurmës në transportin evropian arrijnë vlerën e 95.6 miliardë eurove në vit, që përbën rreth 0.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Evropian.
Hulumtuesit paralajmërojnë se objektivi i BE-së për uljen e ndikimit kronik të zhurmës së trafikut me 30% deri në vitin 2030 duket i paarritshëm pa masa më të forta dhe të qëndrueshme.
Në raport rekomandohet ulja e kufijve të shpejtësisë në qytete, promovimi i transportit publik, si dhe nxitja e ecjes dhe çiklizmit për të reduktuar ndotjen akustike. /AutoPortali



