Legjenda e WRC-së do të garojë me Ford Puma Rally1
L

Legjenda e WRC-së do të garojë me Ford Puma Rally1

Legjenda e Kampionatit Botëror të Rally-t (WRC) do të ketë mundësinë të drejtojë në garë një makinë të gjeneratës së fundit të këtij kampionati.

Carlos Sainz, dy herë kampion bote në rally, do të marrë pjesë këtë fundjavë në Rally de Asturias Historic, në Spanjë, me një makinë Ford Puma Rally1. Aktiviteti këtë vit do t’i kushtohet karrierës së tij të jashtëzakonshme.

Sainz, 64 vjeç, do të garojë së bashku me bashkëdrejtuesin e tij prej shumë vitesh, Luis Moya. Gara përfshin 10 etapa asfaltike me një gjatësi totale prej 126,66 kilometrash.

“Kanë mbetur edhe pak ditë deri te rally historik i Asturias në Pravia. Organizatorët kanë vendosur t’ia kushtojnë aktivitetin karrierës sime, për çka jam jashtëzakonisht mirënjohës”, tha Sainz në rrjetet sociale.

Ai konfirmoi gjithashtu se surpriza e paralajmëruar është realizuar, duke falënderuar Ford-in dhe Red Bull-in për mundësinë që të drejtojë Ford Puma Rally1.

“Do të kem mundësinë të drejtoj një makinë rally të gjeneratës së fundit. Ka kaluar shumë kohë që kur kam garuar për herë të fundit në asfalt dhe mezi pres ta provoj këtë makinë fantastike”, shtoi ai.

#225 Ford M-Sport Ford: Carlos Sainz Sr

Gjatë karrierës në WRC, Sainz regjistroi 26 fitore dhe 97 podiume, duke garuar me Toyota, Subaru, Lancia, Ford dhe Citroën.

Pas largimit nga WRC-ja në fund të vitit 2005, ai vazhdoi karrierën në rally-raid dhe fitoi katër herë Rally Dakar, në vitet 2010, 2018, 2020 dhe 2024.

Në vitin 2025, Sainz iu bashkua programit zyrtar të Ford-it në Kampionatin Botëror Rally-Raid. Këtë sezon, ai renditet në vendin e nëntë në klasifikimin e kampionatit.

TË FUNDIT