Policia e Kosovës: Mos ndizni zjarre në natyrë, rrezik për jetën dhe mjedisin
P

Policia e Kosovës: Mos ndizni zjarre në natyrë, rrezik për jetën dhe mjedisin

Policia e Kosovës në Gjilan, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, ka nisur një fushatë vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve të hapura në natyrë, në fusha dhe male, shkruan AutoPortali.

Në kuadër të këtij projekti, përfaqësues të njësive sektoriale të Policisë kanë zhvilluar takime me banorë të zonave rurale, bashkësive lokale dhe qytetarë të ndryshëm të rajonit të Gjilanit, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet që sjellin zjarret në mjedis.

Përveç dëmeve të mëdha ndaj natyrës, zjarret përbëjnë kërcënim serioz për jetën dhe pronën e qytetarëve. Policia ka theksuar gjithashtu edhe pasojat ligjore që parashihen për personat përgjegjës për shkaktimin e zjarreve.

Gjatë fushatës janë shpërndarë broshura informuese me këshilla praktike dhe masa parandaluese, duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të angazhohen në mbrojtjen e ambientit.

Për çdo rast të zjarrit apo dyshim për veprimtari të paligjshme në këtë drejtim, ftojmë qytetarët të raportojnë menjëherë në numrat emergjentë 192 ose 112, në mënyrë që të reagojmë me kohë dhe të parandalojmë pasojat.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./AutoPortali

TË FUNDIT