Zjarret vijojnë të përfshijnë disa zona të Shqipërisë, ndërsa autoritetet raportojnë për një situatë të rënduar në disa qarqe.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri në të gjithë territorin, ndërsa katër prej tyre mbeten ende aktive, transmeton AutoPortali.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat janë shfaqur në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë. Shkak për përhapjen e zjarreve janë bërë temperaturat e larta dhe era, ndërsa një pjesë e madhe e terreneve janë të thepisura dhe të vështira për ndërhyrje.
Në total, janë djegur mbi 292 hektarë sipërfaqe me shkurre, bimësi dhe pemë frutore, përfshirë më shumë se 1000 rrënjë kumbulla, qershi dhe ullinj.
Vatrat aktive dhe ndërhyrjet në terren
Qarku Dibër – Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha dhe livadh. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave operacionale, zjarri nuk është vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë. Deri më tani janë djegur rreth 150 hektarë. Sot në operacion janë angazhuar edhe 100 forca nga Forcat e Armatosura.
Bulqizë – Është riaktivizuar vatra në “Mali i Peladhisë”, njësia Zerqan, duke u përhapur në drejtim të “Majës së Vlashes”. Zjarri është ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta dhe është përhapur në dy drejtime.
Dibër – Arras – Vijon operacioni për izolimin e flakëve në fshatin Arras, bashkia Dibër. Forcat po punojnë për të mbrojtur banesat në zonën e fshatit Shumbat, të rrezikuar nga përhapja e zjarrit për shkak të erës.
Qarku Fier – Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, është riaktivizuar një vatër zjarri që ka përparuar gjatë natës në një masiv pyjor. Në terren janë 13 forca nga zjarrfikësja, 15 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA.
Angazhimi i strukturave dhe paralajmërimi për ditët në vijim
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 394 forca operacionale dhe 36 automjete zjarrfikëse. Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë angazhuar me 130 efektivë dhe një helikopter.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje të dobëta në disa qarqe si Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë të lokalizuara.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, situata mbetet kritike. Sot pritet nivel “i lartë” rreziku në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera vlerësohet si “i moderuar”.
Ministria e Mbrojtjes, po ashtu apelon për kujdes maksimal nga qytetarët. Ndezja e zjarreve në mjedise të hapura mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën. Qytetarët ftohen të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër pranë shërbimeve zjarrfikëse.
“I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri të plotë dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës”, theksohet në deklaratën zyrtare. /AutoPortali



