Qendra për Menaxhimin e Krizave ka njoftuar se deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar gjithsej 21 vatra zjarri në ambiente të hapura në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, 18 prej tyre janë shuar plotësisht, një është nën kontroll, ndërsa dy vijojnë të jenë aktive, transmeton AutoPortali.
Zjarret aktive janë regjistruar në Komunën e Velesit, në zonën mes fshatrave Xhidimirci, Krushje dhe Ivankovci, ku po digjet një sipërfaqe me pyll të përzier. Vatra tjetër ndodhet në Komunën e Makedonski Brod, në territorin midis fshatrave Creshnevo, Lokvica, Krapa dhe Sllatinë, duke përfshirë pyll lisi të degraduar, shkurre dhe bimësi të ulët.
Ndërkohë, zjarri i rrezikshëm që ishte përhapur në fshatin Nikoliç të Komunës së Dojranit është vënë nën kontroll. Sipas QMK, kjo vatër përfshinte një pyll me kërcell të ulët.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie dhe të raportojnë menjëherë çdo rast në shërbimet përkatëse. /AutoPortali



