Ministria e Mbrojtjes: 23 vatra zjarri aktive, ndërhyrje në 17 bashki
M

Ministria e Mbrojtjes: 23 vatra zjarri aktive, ndërhyrje në 17 bashki

Shqipëria vijon të përballet me një situatë alarmante zjarresh. Siç ka njoftuar Ministria e Mbrojtes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.

Vatrat janë përhapur në territorin e 17 bashkive, përfshirë Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Korçë, Fier, Gjirokastër dhe Lezhë, transmeton AutoPortali.

Zonat ku zjarret janë ende aktive:

Qarku Dibër – Parku Kombëtar Lurë: Zjarri në zonën “Liqeni i Luleve” mbetet aktiv në dy vatra të ndara. Ndërkohë, në fshatin Zall Gjoçaj (Mat), ndërhyrja është e vështirë për shkak të relievit shkëmbor; janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Qarku Vlorë – Dukat: Në zonën “Qafa e Shëngjergjit”, flakët, të përhapura nga era, kanë përfshirë edhe kurorat e pishave. Në terren ndodhen 30 trupa të FA dhe një helikopter Cougar, i cili ka kryer 3 misione ajrore.

Qarku Elbasan – Shmil: Vijon puna për shuarjen e zjarrit në një pyll gështenjash në kufi me Librazhdin.

Qarku Lezhë – Shkopet: Zjarr në sipërfaqe pyjore pranë tunelit të Shkopetit. Në operacion janë angazhuar forca tokësore dhe një helikopter i FA që ka kryer 2 misione.

Qarku Korçë – Vernik (Devoll): Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kaluar varrezat dhe duke iu afruar kufirit grek. Në fshatin Dishnicë, vijon shuarja e zjarrit në një zonë me shkurre.

Zona nën monitorim:

Bulqizë – Krajkë: Vatër në një terren të vështirë në “Livadhin e Peladhisë”.

Mallakastër – Belishovë: Vatra e zjarrit nga fshati Drenovë vijon të mbahet nën kontroll.

Dëmet dhe përmasat:

Deri më tani janë djegur mbi 269 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 30 rrënjë ullinj.

Forcat e angazhuara:

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë:

440 forca operacionale dhe 45 mjete zjarrfikëse.

157 forca të Forcave të Armatosura, me 21 mjete dhe 2 helikopterë, të cilët dje realizuan 5 misione ajrore.

Ditën e sotme janë angazhuar 155 efektivë të FA me të njëjtin kapacitet logjistik.

Parashikimi dhe rreziku:

Sot nuk priten reshje në territor. Parashikohet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet e tjera, niveli i rrezikut mbetet i moderuar.

Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë ndërhyrjet intensive në terren. U bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo vatër të dyshimtë zjarri tek autoritetet përkatëse. /AutoPortali

TË FUNDIT